Shqipëria duket pa shpëtim dhe të ardhme, sa kohë shqiptarët prej 82 viteve janë të dashuruar me mashtrues ordiner!

Shqipëria

Shqipëria duket pa shpëtim dhe të ardhme, sa kohë shqiptarët prej 82 viteve janë të dashuruar me mashtrues ordiner!

Fehmi Tançi Nga Fehmi Tançi Më 21 maj 2023 Në ora: 13:20
Foto ilustrim

Për të argumentuar këtë konkluzion timin, po e nis një përshkrim me diktatorin dhe kriminelin 45 vjeçar që në vitet 1940, për të ardhur tek mashtruesit e dekadës së fundit deri sot.

Tre nga 4 prej të cilëve kanë lidhje me Francën, Parisin (Enveri, Edvini dhe Luizi).

Enver Hoxha, siç dihet tashmë, pasi dështoi të kryente arsimin e lartë në Francë, ku e kishte dërguar kunati i tij (Bahri Omari, eleminuar më pas prej tij), u kthye në Shqipëri.

Nuk ishte anëtar i grupit të themelimit të PKSH, por pasi u bë në Mars 1943 udhëheqës i PKSH me ndihmën e jugosllavëve, dihet sesi i eleminoi të gjithë themeluesit e PKSH të 8 Nëntorit dhe fallsifikoi/retushoi foton e themelimit, duke vendosur veten në krye të tavolinës.

Eleminoi të gjithë intelektualët e grupeve komuniste, vrau, burgosi, internoi me mijëra dhe dhjetëra mijëra nacionalistët shqiptarë, legalistë, ballistë, dhe e ktheu Shqipërinë në ferrin e kuq për 45 vite, duke shpallur “tradhëtarë” të idealeve komuniste edhe sovjetikët, jugosllavët, kinezët dhe duke u vetëshpallur fanar ndriçues i komunizmit në të gjithë botën.

Manipuloi të gjithë historinë e vendit në interes të pushtetit të tij dhe PKSH-PPSH.

Pa harruar që ju premtoi shqiptarëve se do të hanin me lugë floriri dhe pastaj ju tregoi se “barë do të hamë, por parimet nuk i shkelim”…

Pasojat e këtij mashtruesi vampir në dëm të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe shqiptarëve në tërësi, dihen tashmë që qenë shumë shumë të dhimbshme dhe të rënda.

Edvin Rama, një pinjoll i bllokut dhe regjimit kriminal komunist, një piktor që kurrë s’u bë i tillë, pas rrëzimit të diktaturës në 1990, nuk dihet se në ç’forma përfundoi “emigrant” në Francë - Paris.

Por, njëlloj si për diktatorin Hoxha, ka të dhëna se u shndërrua në vjedhës ikonash, flinte poshtë urave dhe qarkullon edhe një numër identifikues për të si i burgosur.

U kthye nga Nano në 1998, nuk dihet në ç’rrethana, por siç e tha vetë Nano më pas ”e solla me thonj pa prerë nga Parisi”.

Njëllojë si ati i tij shpirtërorë pati aftësinë të bëhet krytar bashkie i Tiranës, të marrë partinë, deri me “një pallat një votë”- siç është thënë brenda tyre.

Në vitin 2013 të gjithë mbajnë mend, ose duhet të sjellin ndër mend, listën e mashtrimeve elektorale të cilat nuk i realizoi kurrë, dhe mori vetëm 66 mandate.

Por pasi ishin sharë me libër shpie me Metën, deri sa prodhuan edhe 21 Janarin 2011, bënë marrëveshjen e 1 Prillit 2013 dhe krijuan mazhorancën artificiale për të marrë Rama pushtetin.

Në vitin 2017, pasi hodhi LSI-në në kosh dhe Metën e mbylli në “kafaz” si president për 4 vitet e ardhshme, bëri marrëveshjen e panjohur akoma me Bashën me 17-18 Maj 2017, në aleancë me krimin dhe i vendosur se në Shqipëri nuk do të kishte më zgjedhjë të lira, vetëm do të votohej, pa program, me tallava dhe tallje, “fitoi” një mazhorancë për të qeverisur “i vetëm”, por në fakt me krimin që e kish futur në shumicë edhe në parlament prej vitit 2013.

Në vitin 2021, përsëri pa premtime, vetëm me përdorimin e krejt shtetit, manipulimin e ligjit elektoral, blerjen e opozitës, aleancë të fortë në vazhdim me krimin, mori mandatin e tretë.

Për të ardhur tek 14 Maji 2023, kur mashtruesi Rama u ndje i frikësuar, edhe pse e mbajti opozitën të bllokuar me gjykata, të blerë me mercenarët nga brenda saj, e eleminoi atë nga zgjedhjet po me gjykata, KQZ, KAS, përdorim ndërkombëtarësh.

Ndaj, përveç gjithë rrethanave më lart, në 14 Maj vendosi të futet përsëri në lojë me mashtrimet e tij në emër të pushtetit dhe shtetit, me rritje pagash, pensionesh, duke vendosur veten si kryegomari i 61 bashkive, shoqëruar me tallavanë “ju hëngsha zemrat”, duke kërcënuar shqiptarët se “po votuat opozitën nuk do të keni asnjë financim”, “mos dilni në votime po nuk na votuat ne”, banda, polici në shërbim, etj., etj.

Dhe dy netë përpara, nga studjo e Opinion njoftoi se “50 bashki janë të mbyllura që tani, pa u zhvilluar zgjedhjet”.

Rezultati i 14 Majit tashmë dihet dhe harta e Shqipërisë është ngjyrosur në mavi, siç nuk ishte as pas 31 Marsit 1991, as pas zgjedhjeve të vitit 1997, ku poshtë Shkumbinit PD dhe opozita nuk zhvilloi dot as fushatë elektorale.

Erion Veliaj, e nisi me Lëvizjen Mjaft për rrëzimin e Fatos Nanos, i mbështetur nga pas prej Ramës, Metës, pse jo edhe prej Berishës.

Pastaj krijoi një lëvizje G99 në vitin 2008, që në zgjedhjet e vitit 2009 nuk mori as 1% rezultat.

Ju bashkua PS në vitin 2011 dhe u zgjodh deputet në vitin 2013.

Pastaj në vitin 2015 u zgjodh kryetar i bashkisë Tiranë.

Në vitin 2019 u rizgjodh pa kundërshtarë përballë, për shkak të bojkotit të opozitës, por nuk dolën në zgjedhje për të as 20% e qytetarëve me gjithë presionin, manipulimet dhe mbi 50 000 fletë votimi të pavlefshme.

Dhe me 14 Maj 2023 Veliaj “fiton” për herë të tretë bashkinë Tiranë.

Një njeri që në këto 20 vite është kthyer në ekzemplarin e një mashtruesi ordiner, që shumë prej llojit brenda tyre e mbushin gojën se “Erioni është më i keq se Edi Rama”, (imagjino të jesh më i keq se Edi Rama se çfarë don të thotë), që kurrë nuk ju gjet një diplomë se ka kryer arsimin e lartë dhe ai vetë kurrë nuk ka tentuar të nxjerrë vetë një diplomë për t’a parë “skeptikët” çfarë tregon që nuk e ka, që ka akuza të lidhjeve të tij me mafien deri Ndrageta dhe pastrues i parave të krimit, drogës dhe korrupsionit me kullat shumëkatëshe, mashtrimin dhe vjedhjen galopante të 1 Milion pemëve dhe Pyllit Orbital, vjedhjes së shekullit me skemën mashtruese të inceneratorëve, betonizimi i Tiranës dhe kthimi i saj në një betonjere gjigande ndërtimi dhe pastrimi të parave të krimit dhe korrupsionit bashkë, etj., etj.

Dhe për të gjitha vetitë e tij të mësipërme, ky monstër njeri, kampion i mashtrimit dhe manipulimit, përveç se mori mandatin e tretë të bashkisë Tiranë me një diferencë prej mbi 50000 me rivalin Këlliçi, por i hidhet në treg popullit trim, patriot dhe liridashës edhe si trashëgimtari i ardhëm i liderit suprem, kryegomarit Edi Rama.

Luiz Ejlli. Ky nuk është zyrtarisht në politikë, dhe shumë mirë mund të më thuhet se pse e rendis këtu pas tre të parëve.

Por titulli i këtij shkrimi është se shqiptarët janë të dashuruar me mashtruesit, ndaj meqenëse mashtruesit Rama dhe Veliaj e shfrytëzuan mrekullisht popullaritetin që arriti Luizi, në një format që nuk duhet të kish lidhje me politikën, po e analizoj pak edhe Luizin.

Unë nuk isha ndjekës i BB, por fenomeni Luiz, sesi u marrosën njerëzit kaq shpejt pas Luizit, më bëri kurioz të kuptoj sadopak se pse po ndodhte kjo?

Luizi, nga i panjohur si gjithë konkurentët e tjerë, zgjodhi të tërheqë vëmendjen e njerëzve me një mashtrim mbi shëndetin e tij, ku ju vunë ne shërbim programit BB të gjitha institucionet shëndetësore të shtetit në pak minuta.

Dhe unë thashë me vete se me këtë lëvizje, ky Luizi që nuk e njihja fare deri at’herë, ose do të përjashtohet nga programi, ose nuk ka shance dhe llogjikë të ringrihet.

E kundërta ndodhi. Fiks pas këtij mashtrimi, filloi ngritja e Luizit në publik si një raketë kozmike kur lëshohet nga toka. Falë edhe aftësive të tij manipuluese me situatat, me humorin prej shkodrani i lindur, Luizi theu të gjitha rekordet e shikueshmërisë së BB në të gjitha vitet, ndoshta edhe të marra së bashku, shqiptarët u marrosën pas tij dhe Top Bordello po nxirrte fitime marramendëse nga kjo ofertë që u krijua.

Por paralelisht me ngritjen e tij kozmike tek shqiptarët, Luizi po shpaloste edhe se kur kish hyrë në BBV jeta e tij kish qenë në zgrip, deri në borxhe, humbje shprese per jetën, etj.

Pastaj, meqenëse zgjedhjet lokale po afroheshin, ujqërit që ishin jashtë, pronarët realë të Top Bordellos, Rama - Veliaj, nuk do ta lëshonin këtë shanc që t’ju ikte.

Dhe u pa shumë qartë sesi e shfrytëzuan Luizin që nga ajo “martesa” në taracën e bashkisë me mbi 5-6 milion shikues nga mashtruesi Veliaj, deklaratat e tij pro Becit, gjasme pa dije nga brenda shtëpisë së BBV, por që i ra maska pasi doli, dhe deri dje në podkastin me kryemashtruesin Rama nga Shkodra.

Pra, Luizi provoi sesi shiti për interesa të tij personale atë marrosje që shqiptarët krijuan pas tij, duke grisur edhe kuletat e tyre për të votuar pafund për Luizin idhull të tyre.

Pra, me 4 personazhet më sipër, në një kohë gjeografike rreth 83 vjeçare, unë dua të provoj sëmundjen e një mase të madhe shqiptarësh pas mashtruesish, sado ordinerë qofshin ata, si tre personazhet më sipër (plus Luizin që është në formatim e sipër), çfarëdo lloj pasojash që ju vijnë në jetët e tyre dhe të vendit prej tyre.

Mjafton të shikohet sesi Rama i vjedh përditë, i poshtërron deri në “thirri, thirri, por ai nuk ngrihet dot”, me gisht mesi të drejtuar nga parlamenti, që i depreson në atë masë sa po ikin më shumë se popuj në luftë si sirianët, afganët, etj., e shfaq hapur fare dhe pa droje se me të në krye të vendit nuk do të ketë më zgjedhje të lira, por votime,

Dhe shqiptarëve, flas për shumicën prej tyre, duket se ju rrin fare mirë ky kallup kryegomari dhe njeriu autoritar, ju rrin fare mirë një regjim hibrid midis krimit dhe monizmit dhe nostalgjikët e ish diktatorit të regjimit të etërve të Ramës, në vend të pakësohen nga pak e përditë, edhe për shkak të moshave të tyre që kalojnë në botën tjetër, por duket sikur po shtohen frikshëm.

Ndaj dhimbshëm duket se Shqipëria nuk do të ketë shpëtim dhe të ardhme, sa kohë shqiptarët marrosen pas diktatorësh, mashtruesish, diktaturash, regjimesh moniste kriminale, siç kanë bërë në këto 83 vite dhe vazhdojnë sot e kësaj dite.

Zoti e shpëtoftë Shqipërinë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat