Zbardhet dosja e Fredi Belerit/ 50 euro vota, si nisi hetimi që ‘fundosi’ kryebashkiakun e zgjedhur për Himarën

Shqipëria

Zbardhet dosja e Fredi Belerit/ 50 euro vota, si nisi hetimi që ‘fundosi’ kryebashkiakun e zgjedhur për Himarën

Më: 17 maj 2023 Në ora: 14:12
Foto ilustrim

Top Channel ka siguruar dosjen në ngarkim të Fredi Belerit, kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, tashmë kryebashkiak i zgjedhur për Himarën, i cili është në burg për akuzën e blerjes së votave.

Pas vendimit të Gjykatës së Vlorës, e cila e cilësoi të vlefshëm arrestimin në flagrancë të Belerit dhe të bashkëpunëtorit të të tij dhe shpalli  mos-kompetencën, dosja e Fredi Belerit do të gjykohet nga SPAK dhe pritet që gjykata e posaçme të rishqyrtojë masën brenda dhjetë ditëve.

Ndaj Belerit pritet të mbahet një tjetër seancë për masë sigurie në GJKKO, ndërsa në dosjen e siguruar nga Top Channel tregohet sesi nisi procedimi dhe kushtet e arrestimit të kandidatit vetëm dy ditë para zgjedhjeve.

Më 8 maj nisi procedimi penal ndaj Belerit, për të cilin kishte raportime se tentonte të blinte votat e qytetarëve në favor të tij në zgjedhjet e 14 majit. Dosja hetimore sqaron më tej se në Prokurorinë e Vlorës është paraqitur vullnetarisht një person që ka denoncuar rastin dhe është bërë i infiltruari i Prokurorisë, i cili ka marrë leje të posaçme për të kryer filmime dhe përgjime ndaj personave të dyshuar.

Sikurse Top Channel raportoi më herët, në dosje thuhet se i infiltruari kishte biseduar me Belerin për një listë me 13 emra të cilët do të merrnin nga 50 euro për t’i dhënë atij votën. Paratë do të jepeshin pasi Beleri të sigurohej se votat do të hidheshin në kuti me emrin e tij. I infiltruari për punën e bërë do të merrte 300 euro.

“Në datë 10.05.2023, shtetasi i infiltruar A.R, ka komunikuar ne telefon me shtetasin Dhionisios Alfred Beleri dhe i ka thënë se listën ia kishte dorëzuar sekretares së tij. Alfredi i ka thënë se do ta verifikontë një gjë të tillë dhe do të komunikonin sërish bashkë për tu takuar. Në vijim të kësaj bisede, sërish në datë 10.05.2023, ata janë takuar më njëri tjetrin në lagjen Potam, jashtë ambienteve të lokalit “Gelateria”, ku sipas bisedave ambientale të përgjuara, kanë biseduar në mënyrë të përmbledhur lidhur me listën prej 13 personash të dorëzuar nga shtetasi A.R dhe shumën monetare që duhej të përfitonte secili prej tyre në këmbim të votës pro kandidatit Dhinisios Alfred Beleri. Në këtë bisedë, ky shtetas i ka premtuar shtetasit A.R se do të paguante shumën prej 50 euro për person dhe 300 euro për shtetasin A.R, nëse shtetasi Dhionisios Alfred Beleri bindej sipas verifikimeve që ai do të kryente, se vota ishte hedhur pro tij. Në këtë bisedë, shtetasi Dhionisios Alfred Beleri, i premton shtetasit A.R se shumën monetare do t’ja jepte po atë natë në darkë ose të nesërmen në mëngjes”, thuhet ndër të tjera në dosje.

Me bashkëpunëtorin e Belerit, Pandeli Kokoveshin u ra dakord që do jepeshin para vetëm për tetë persona. Ata kanë biseduar në lidhje me zgjedhjet dhe listën që i infiltruari i kishte dorëzuar më parë Alfred Belerit dhe Kokaveshi i ka thënë se 4 persona nga lista i kishte kapur ai më parë dhe se mbeteshin vetëm tetë vetë nga lista me 13 emra.  Paratë për tetë vota u dhanë në WC -në e një bari në Himarë dhe se ky moment është vetëm me audio dhe jo i filmuar dhe me kamera sikurse takimet e tjera nën vëzhgim nga një grup i Policisë së Shtetit të dërguar nga Tirana.

Për shpërblimin e punës së bërë bashkëpunëtori i drejtësisë e ka pyetur edhe nëse ‘i ka dhënë ndonjë gjë për të Fredi dhe ai i ka thënë që do të flisnin prapë.

Çdo veprim me bashkëpunëtorit e drejtësisë dhe për paratë është ndjekur me urdhra të Prokurorisë së Vlorës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat