​Berisha: Kjo është pranvera e ndryshimit

Shqipëria

​Berisha: Kjo është pranvera e ndryshimit

Më: 14 maj 2023 Në ora: 10:33
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votimit në shkollën “Kosova” në Tiranë. Pasi hasi probleme me identifikimin elektronik, Berisha tha se kjo është pranvera e ndryshimit për Shqipërinë.

Berisha ftoi të gjithë qytetarët që të dalin sa më shumë në votime, duke thënë se të mos dëgjojnë asnjë që iu thotë të kundërtën.

Berisha: Thirrje për të gjithë qytetarët shqiptarë që të dalin në votime

“Së pari, një thirrje nga zemra për të gjithë qytetarët shqiptarë, të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore. Të gjithë ata të cilët u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve, që të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë se ky është një nxitje, një apel i madh që ata të marrin pjesë sot në votime. Ai që ka frikë votën, ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj”, deklaroi Berisha.

Berisha deklaroi prej nesër Shqipëria arkivon monizimin e shëmtuar dhe se kjo shënon fitore për demokracinë shqiptare.

“Së dyti, ftoj të gjithë zgjedhësit shqiptarë, të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim, e bën gabimin edhe më të madh. Ndaj dhe le t’u prijë mençuria e tyre, në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre, vendit të tyre. Kjo është pranvera e ndryshimit! Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar dhe kjo është një ditë fitoreje për demokracinë shqiptare”, tha Berisha.

Kujtojmë se në këto zgjedhje opozita shqiptare pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan gjithë bashkitë e vendit, përveç Shkodrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat