​Nikolla takon Dudan: Mirënjohje për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Shqipëria

​Nikolla takon Dudan: Mirënjohje për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Më: 11 maj 2023 Në ora: 15:55
Foto nga vendngjarja

Kryetarja e Kuvendit tw Shqipërisë, Lindita Nikolla, priti sot presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, dhe delegacionin që e shoqëron, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kryetarja Nikolla vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Poloninë dhe e falënderoi presidentin Duda për mbështetjen e fuqishme nga Polonia të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Nikolla shprehu gjithashtu mirënjohjen për solidaritetin dhe kontributin e Polonisë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe ndihmën gjatë pandemisë së COVID-19.

Nikolla, vuri në dukje vullnetin e Kuvendit për të rritur e zgjeruar bashkëpunimin me Sejmin dhe Senatin e Polonisë dhe mbështetjen e nxitjen nga bashkëpunimi e diplomacia parlamentare të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë e ka falënderuar presidentin polak për mbështetjen e Polonisë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vijojë.

“Të dy vendet tona po mbështesin Ukrainën në luftën e saj mbrojtëse kundër agresionit të Rusisë. Polonia është më e rrezikuar se vendet e tjera të kontinentit nga ky agresion, për shkak të mbështetjes së fuqishme ndaj luftës së drejtë të Ukrainës, por edhe për shkak të pozites gjeografike kufitare me Ukrainën.”, theksoi Nikolla.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, falënderoi kryekuvendaren Nikolla për pritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe nënvizoi se Polonia e konsideron Shqipërinë një aleate të ngushtë e të denjë në NATO dhe do të vijojë të mbështesë përshpejtimin e ritmeve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Marrëdhëniet mes dy vendeve, theksoi presidenti Duda, janë të shkëlqyera dhe pa asnjë mosmarrëveshje mes tyre.

Presidenti Duda vlerësoi për përparimin e jashtëzakonshëm e të gjithanshëm të Shqipërisë dhe Tiranës gjatë viteve të fundit, i cili është i dukshëm, si edhe shprehu vlerësimin për kontributin e Shqipërisë në mbështetje të luftës së drejtë të Ukrainës dhe përpjekjet për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat