Keniania u dhunua për vdekje në Tiranë, ngjarja drejt zbardhjes - Hapen tabulatet e celularëve, policia siguron pamje të reja filmike

Shqipëria

Keniania u dhunua për vdekje në Tiranë, ngjarja drejt zbardhjes - Hapen tabulatet e celularëve, policia siguron pamje të reja filmike

Më: 2 maj 2023 Në ora: 11:42
Joy Ayoko

Grupi hetimor që po merret me hetimin e ngjarjes së rëndë të plagosjes me pasojë vdekjen të vajzës nga Kenia, duket se janë afruar me motivet kryesore të aktit makabër që ndodhi në mes të Tiranës.

Edhe pse nga grupi i të shoqëruarve nuk është mbajtur asnjë në pranga, bëhet me dije se janë marrë mesazhe, biseda telefonike, disa pamje filmike dhe shume fakte që pretendohet se do përbëjnë provat për të shkuar tek autorët e ngjarjes. ndonëse po afrohet viti që kur ndodhi krimi, policia ende në fakt nuk e ka të qartë nëse ishte tentativë vrasjeje apo shtyrje drejt vetëvrasjes. Megjithatë, grupi hetimor mësohet se po punon itensivisht për të sjellë në pranga të dyshuarit kryesorë.

Celularët

Policia edhe Prokuroria vijojnë hetimet në lidhje me vdekjen e kenianes Joy Ayoko, pasi morën në pyetje gjashtë persona të dyshuar që kishin njohuri për ngjarjen. Celularët e të gjashtëve janë sekuestruar dhe tashmë prokuroria mund të ketë në dorë fakte që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në Prokurori nuk përjashtohet asnjë pistë hetimi deri më tani. Ndërkohë 2 celularët e Joy mbeten të pahapur, njëri “iPhone” që nuk është hapur asnjëherë dhe një tjetër që në fillim dyshohet se ka qenë i hapur, por në rrethana të pa qarta i është ndërruar kodi hyrës.

Të dy vijojnë të jenë në laborator dhe nuk janë përftuar biseda që mund të ndihmonin të zbardhnin ngjarjen. Sakaq 6 personat që u shoqëruan pak ditë më parë nga Policia e Tiranës si të dyshuar që kanë dijeni për vrasjen e të resë nga Kenia, Joy Ayoko, janë lënë të lirë. Mes personave të shoqëruar ishte edhe shoferi i kazinos, Rodin Barçi, me të cilin e reja ka pasur edhe një marrëdhënie intime, si edhe vëllai i këtij të fundit.

Hetimet

Pas shoqërimit të 6 personave, të cilët u morën më pyetje lidhur me ngjarjen ende misterioze të kenianes, 22-vjeçares Joy Ayoko, e cila me 14 gusht u gjet e dhunuar barbarisht poshtë hostelit në rrugën “Pandeli Evangjeli”. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se të shoqëruarit, mes tyre dhe Rodin Barçi, shoferi i kazinosë dhe vëllai i tij, pasi janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen janë lënë të lirë. Ndërkohë që u janë sekuestruar telefonat celularë. Përveç vëllait të Rodin Barçit të shoqëruarit e tjerë janë miqtë dhe shokët e ngushtë të shoferit të kazinosë.

Sa i përket dëshmisë së Barçit, ai ka mbajtur të njëjtën me atë të parën ku ka mohuar të jetë i përfshirë në ngjarje dhe se kishin pasur një marrëdhënie intime, por që i kishin dhënë fund pak para ngjarjes. Të njëjtat burime thonë se drejt Kenias janë dërguar letër-porosi lidhur me autopsinë e kenianes dhe pritet që dhe Interpol të përshpejtojë procedurat për bashkëpunim lidhur me ngjarjes. Ndonëse telefonat janë sekuestruar, grupi hetimor ka hasur vështirësi në telefonin e kenianes për shkak se ajo përdorte numër nga vendi i saj dhe gjithashtu telefoni i saj ka qenë i dëmtuar.

Sa i përket komunikimeve, edhe ato janë në gjuhën e saj dhe disa edhe anglisht, kështu që pritet edhe të përkthehen. Ndërkohe një ndër pikëpyetjet e mëdha është edhe deklarata e mikeshave të Joy-t. Burimet thanë se në deklarimet e para që u janë marrë Emilit dhe Joy-t, dy shoqeve të 22-vjeçares keniane, përkthyes i deklaratave ka qene Rodin Barçi. Grupi hetimor ka dyshime të forta se dëshmia e vajzave mund të jetë tjetërsuar pasi Rodin Barçi ka qenë i dyshuar që në fillim të ngjarjes.

Ndonëse hetimet vijojnë pritet që zbërthimi i telefonave celularë të ndihmojë grupin hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Teksa natën e ngjarjes nga pamjet filmike është parë një person i cili është afruar pranë hostelit ku jetonte 22- vjeçarja Joy Ayoko. Grupi hetimor ka dyshime të forta se pozicioni se si është gjetur vajza, kokën e ka pasur nga muri dhe ka ngritur dyshime që nuk është hedhur, por mund të jetë lënë aty pasi fillimisht është thirrur të zbresë poshtë hostelit dhe aty është dhunuar dhe lënë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ngjarja është drejt zbardhjes.

Ngjarja

22-vjeçarja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Shoqet e dhomës kanë dhënë dëshmi kontradiktore me njëra tjetrën, e ndërsa i dyshuar ka qenë edhe shoferi i kazinosë.

Rodi Barçi, 32 vjeç, ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Joy-n, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kanë qenë të ndarë dhe nuk kishin më lidhje me njëri-tjetrin. Joy Ayoko u gjet në gjendje kome jashtë hostelit ku qëndronte në muajin gusht të vitit të kaluar. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Joy u largua nga spitali i Traumës në gjysmë koma, e pavetëdijshme dhe ndërroi jetë në Kenia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat