Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, pa numërues votash në gjysmën e vendit, Celibashi: Sistemi është konsoliduar mjaftueshëm për të dhënë garanci

Shqipëria

Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, pa numërues votash në gjysmën e vendit, Celibashi: Sistemi është konsoliduar mjaftueshëm për të dhënë garanci

Më: 25 prill 2023 Në ora: 08:04
Ilirjan Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vendosi të hënën që anëtari i katërt në Grupet e Numërimit të Votave, GNV, do të caktohet me short mes Partisë së Lirisë dhe Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, PDIU, duke e lënë koalicionin opozitar “Bashkë Fitojmë” pa numërues në gjysmën e vendit.

Sipas vendimit, Partia e Lirisë dhe PDIU do të kenë mundësinë që të propozojnë secila anëtarë në 50 për qind të grupeve të numërimit në vend, pasi u konsideruan parti opozitare me numër të barabartë deputetësh.

Partia e Lirisë pretendoi se i takonte asaj anëtari i katërt në të gjithë GNV-të dhe se PDIU nuk ishte një parti opozitare.

“Dy deputetë të PDIU-së kanë deklaruar se janë të pavarur pas zgjedhjeve të 2017-ës”, tha përfaqësuesi i koalicionit opozitar në KQZ, Altin Kaziaj.

Po ashtu, ai iu referua votimit të kësaj partie në Kuvend, ku qëndrimet e saj kanë qenë pro qeverisë duke votuar ligje apo ratifikime marrëveshjesh të propozuara prej saj.

PDIU, e cila garon e vetme në zgjedhjet vendore të 14 majit i kundërshtoi këto pretendime dhe kërkoi që të zbatohej ligji dhe t’i njihej e drejta si parti opozitare për të pasur numëruesit e saj.

Grupet e numërimit përbëhen nga 4 anëtarë, ku dy anëtarë ndahen mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa anëtari i tretë dhe i katërt caktohet nga partitë e vogla të mazhorancës dhe opozitës.

Si parti e dytë e maxhorancës, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit vendosi të mos e ushtrojë këtë të drejtë, ndaj Celibashi tha se anëtari i tretë i GNV-ve do të propozohet sërish nga PS.

Komisioneri Celibashi tha se e kuptonte sensibilitetin që kishte konstituimi i grupeve të numërimit, por shtoi se pavarësisht se kush i propozon anëtarët e GNV-ve, prezumohet se janë garantë të ligjit.

“Sistemi është konsoliduar mjaftueshëm për të dhënë garanci,” theksoi ai para se të deklaronte vendimmarrjen për ta hedhur në short mes dy partive të drejtën për të propozuar anëtarin e 4-t të QNV-ve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat