Dështoi të vriste biznesmenin, Apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit: 20 vite burg për Astrit Sinanaj

Shqipëria

Dështoi të vriste biznesmenin, Apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit: 20 vite burg për Astrit Sinanaj

Më: 24 prill 2023 Në ora: 10:32
Dështoi të vriste biznesmenin, Apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit: 20 vite burg për Astrit Sinanaj

U shpall fajtor për vrasje me dashje e mbetur në tentativë, Apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit, 20 vite burg për Astrit Sinanaj.

Sinanaj u dënua më 8 korrik 2020 për vendosjen e tritolit poshtë mjetit tip Volkswagen të biznesmenit Fuad Verzivolli. Ngjarja ndodhi në lagjen ”Luigj Gurakuqi”, pranë Teatrit Skampa Elbasan, sakaq pakoja e dyshimtë me lënde plasëse të telekomanduar, u ç’aktivizua nga policia.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan vendosi dënimin e Sinanajt me 25 vite burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave” e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,“Shkatërrim prone me eksploziv” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.

I dënuar me 10 muaj burg ishte edhe bashkëpunëtori i Sinanajt, Thanas Thoma, i cili asokohe akuzohej për “Moskallëzim i krimit”.

Pas vendimit, Sinanaj paraqiti ankim përmes të cilit kërkonte prishjen e vendimit dhe deklarimin e pafajshëm ose në alternativë të deklarimin fajtor të pandehurit me kohën e paraburgimit për veprën penale të “Largimit nga vendi i qëndrimit”. Gjithashtu ankim bëri edhe i pandehuri me iniciale Th.Th, i cili kërkoi ndryshim e vendimit, deklarimin i pafajshëm dhe kthimin e akteve gjykatës së shkallës së parë.

Gjykata e Apelit Durrës vendosi më 27 janar 2021 prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe kthimin e akteve për rigjykim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.

Viktima e sulmit të Astrit Sinanaj, biznesmeni Verzivolli ishte kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës. Ai ushtroi rekurs përmes së cilit kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit të 8 korrikut 2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, çka iu refuzua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.

Në përfundim të rigjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan vendosi më 11 nëntor 2022 deklarimin fajtor të të pandehuri Sinanaj, për kryerjen e veprës penale  “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, e mbetur në tentativë, të parashikuar nga nenet 79/ë e 22 të Kodit Penal dhe dënimin e tij, në bazë të kësaj dispozite, me 20 vjet burgim.

Çështja u apelua dhe gjykua sërish nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe pushimin e gjykimit për kryerjen e veprave penale të parashikuara, duke e deklaruar fajtor vetëm për kryerjen e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vëndi i qëndrimit”dhe në alternativë, prishjen e vendimit objekt shqyrtimi dhe kthimin për rigjykim të çështjes në shkallë të parë me tjetër trup gjykues.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 24 prill 2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar Sokol Pina dhe anëtarë Valbona Vata e Valbon Cekrezi, vendosi lënien në fuqi të vendimit të 11 nëntor 2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. 20 vite burg për Astrit Sinanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat