Prenë pemë ilegalisht në zona të mbrojtura, pranga dy të rinjve në Pogradec - ja si u pikasën nga policia

Shqipëria

Prenë pemë ilegalisht në zona të mbrojtura, pranga dy të rinjve në Pogradec - ja si u pikasën nga policia

Më: 18 prill 2023 Në ora: 13:50
Foto ilustrim

Dy persona janë arrestuar në Pogradec, pasi prisnin ilegalisht lëndë drusore në zona të mbrojtura në pyjet e fshatit Peshkëpi.

Mësohet se shtetasit Renato Kadilli 39 vjeç dhe Sali Shuli, 42 vjeç janë kapur në flagrancë teksa transportonin me automjetin tip ‘Toyota’ lëndën drusore e cila është sekuestruar nga uniformat blu.

Sakaq policia gjatë kontrolleve ka gjetur dhe një sasi tjetër me lëndë drusore në një parcele të zonës së mbrojtur në fshatin Peshkëpi.

Njoftimi i policisë:

Pogradec/Intensifikim kontrollesh në zonat e mbrojtura dhe në të gjithë territorin, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

U kapën në flagrancë me një sasi lënde drusore të prerë ilegalisht nga zona e mbrojtur e pyjeve të fshatit Peshkëpi, vihen në pranga 2 shtetas. Një sasi tjetër lënde drusore, të siguruar në kundërshtim me ligjin, të arrestuarit e kishin fshehur në pyll. Sekuestrohen sasitë e lëndës drusore, automjeti me të cilin po transportohej kjo lëndë dhe një motorsharrë që kishte shërbyer për prerjen e saj. Në vijim të kontrolleve të mbështetura nga inteligjenca informative, me fokus parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, kanë goditur një rast tjetër në këtë fushë, për të cilin u arrestuan në flagrancë shtetasit R. K., 39 vjeç dhe S. Sh., 42 vjeç, të dy banues në Pogradec. Shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin R. K. dhe pasagjer shtetasin S. Sh., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në të, kanë gjetur një sasi lënde drusore e dyshuar e prerë nga këta 2 shtetas, në kundërshtim me ligjin, në zonën e mbrojtur të pyjeve të fshatit Peshkëpi.

Në vijim të kontrolleve për këtë rast, në një parcelë të kësaj zone të mbrojtur, u gjet dhe një sasi tjetër lënde drusore, e prerë në kundërshtim me ligjin, nga po këta dy shtetas. Lënda drusore, së bashku me automjetin me të cilin po transportohej dhe një motorsharrë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme. Kontrollet në zonat e mbrojtura dhe në të gjithë territorin e qarkut të Korçës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, vijojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat