Fondi i sigurimit të depozitave bankare arrin në 58 miliardë lekë, sa 7% e depozitave të siguruara

Shqipëria

Fondi i sigurimit të depozitave bankare arrin në 58 miliardë lekë, sa 7% e depozitave të siguruara

Më: 13 prill 2023 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara bankare nga fondi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) u rrit përsëri vitin e kaluar.

Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit 2022, raporti arriti në 7%, nga 6.66% që pati qenë një vit më parë.

Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara. Rritja e këtij raporti tregon se fondi i sigurimit të ASD edhe vitin e kaluar është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara.

Në objektivat e agjencive të sigurimit të depozitave, zakonisht raporti i synuar i mbulimit të depozitave të siguruara është niveli 5%. Fondi i ASD e ka arritur këtë nivel që prej vitit 2016.

Gjithashtu, prej vitit 2014, ASD ka përdorur gjithashtu edhe linja krediti gatishmërie nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Kjo marrëveshje pritet të rinovohet përsëri këtë vit dhe ka si qëllim të pasurit e një fondi të disponueshëm, në rast se paraqitet nevoja për të kompensuar depozituesit e siguruar. Ndërkohë, nëse marrim në konsideratë dhe linjën e kredisë prej 100 milionë euro me BERZH, raporti i mbulimit të depozitave të siguruara arrin në rreth 8.3%.

Vlera e fondit të sigurimit të depozitave në banka në fund të vitit të kaluar arriti në rreth 57.9 miliardë lekë, lekë me një rritje prej 9.6% krahasuar me një vit më parë. Ky fond ka dy burime kryesore financimi: primet që paguhen nga bankat dhe të ardhurat nga investimi i fondit.

Të ardhurat nga primet e sigurimit, që konsistojnë në kontributet e paguara nga bankat, vitin e kaluar arritën në rreth katër miliardë lekë ose pothuajse 35 milionë euro. Këto kontribute u rritën me 6.1% krahasuar me vitin 2021.

Për bankat tregtare, primi tremujor i sigurimit përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.

Megjithatë, ligji “Për Sigurimin e Depozitave”, në nenin 31, pika 11 përcakton se “Agjencia (ASD) mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0,025% të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5% të mesatares së këtyre depozitave”.

Duke pasur parasysh se ligji e parashikon këtë mundësi, bankat tregtare po kërkojnë prej më shumë se dy vjetësh nga autoritetet rregullatore uljen e primit të sigurimit të depozitave. Bankat argumentojnë se në vitet e fundit po përballen me një rritje të fortë të kostove nga masat e reja ligjore dhe rregullatore.

Veç sigurimit të depozitave, ato paguajnë edhe për ngritjen e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Megjithatë, ASD është shprehur se është ende në fazën e analizave lidhur me mënyrat e zhvillimit të mëtejshëm të skemës së sigurimit të depozitave.

Ndërkohë, të ardhurat nga administrimi i mjeteve financiare të fondit të sigurimit të depozitave në banka për vitin 2022 arritën në 1.6 miliardë lekë ose 15.6% më shumë se në vitin 2021. Gjatë vitit 2022 normat e interesit kanë patur një tendencë në rritje krahasuar me vitin 2021, kryesisht duke nisur nga tremujori dytë i këtij viti, duke sjellë kështu një kthim të kënaqshëm nga investimi.

Në fund të vitit 2022, vlera e depozitave të siguruara (detyrimi maksimal për kompensim i ASD-së) arriti në 827 miliardë lekë.

Nga këto, 507 miliardë lekë janë depozita me vlerë poshtë kufirit maksimal të mbulimit, ndërsa 320 miliardë lekë janë pjesa e siguruar e depozitave që e tejkalojnë vlerën e kufirit ligjor të sigurimit. Ligji parashikon sigurimin e detyrueshëm të depozitave të individëve dhe shoqërive tregtare në banka deri në vlerën e 2.5 milionë lekëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat