Përgjaken rrugët e vendit, në 3 aksidente humbin jetën katër persona - Ekspertët: Duhet rishikuar edhe lëvizja nga këmbësorët

Shqipëria

Përgjaken rrugët e vendit, në 3 aksidente humbin jetën katër persona - Ekspertët: Duhet rishikuar edhe lëvizja nga këmbësorët

Më: 4 prill 2023 Në ora: 08:07
Foto ilustrim

Brenda pak orëve, në vendin tonë janë shënuar një mori aksidentesh të njëpasnjëshme ku për fatin e keq 4 persona humbën jetën.

Nga një aksident i trefishtë në Sukth të Durrësit mbrëmjen e së dielës, ku humbi jetën pasagjeri i një motoçiklete, u bë me dije se tre persona shkuan në pranga. Vetëm pak minuta më vonë, në “Astir”, ose në zonën e Unazës së Re, një makinë merr para një këmbësor, duke i marrë jetën. E ndërsa për ngjarjen e Durrësit Policia mundi të ndërvepronte me një sërë strukturash duke sjellë në pranga të tre shoferët e përfshirë në aksident, në rastin e Tiranës ngjarja bëhej edhe më e rëndë për shkak se “fajtori” në këtë rast ishte këmbësori, pasi i kishte prerë rrugën automjetit, në një vend që nuk ka asnjë lloj vendkalimi.

Por ende pa u zbardhur dita e djeshme, një tjetër ngjarja tragjike është shënuar në Librazhd, ku burrë e grua, të cilët udhëtonin nga Tirana në drejtim të Devollit kanë humbur jetën, pasi mjeti i tyre u pikas në humnerë. Shifrat dhe statistikat që lidhen me aksidentet e tre muajve të parë të këtij viti janë të frikshme, ndërkohë që sa herë ndodh aksident ekspertët dalin dhe japin mendimet e tyre, por askush dhe asnjë institucion nuk merr masa, as parandaluese dhe as ndryshimi rregullash dhe sinjalistikash, të cilat gjithnjë mungojnë apo janë në vendin e gabuar.

Po ashtu aksident i rëndë u shënua sërish në Bilisht, por për fat ka vetëm të plagosur, ndërsa askush nuk flet për kushtet e rënduara të rrugëve që kanë marrë miliona euro, për të cilat instancat përgjegjëse kujtohen vetëm në kohë fushate për t’i lustruar, por pa përdorur dhe përfshirë asnjë standard.

Ekspertët

Specialist Gerhard Baka është shprehur se në vendin tonë janë rreth 64 pika rreziku për aksidentet rrugore. Komentet Baka i bëri gjatë një interviste në “News 24”, ku po komentonte aksidentet rrugore të ditëve të fundit. Ai shtoi se aksidenti në “Astir” ku humbi jetën një 67-vjeçar mund të ishte shmangur, pasi sipas tij vetëm 100 metër më tej është një mbikalim dhe këmbësori nuk kishte pse kalonte në autostradë. “Pikat e rrezikut në vendin tonë janë diku tek 64 pika. Këto quhen pika të zeza, një segment rrugor diku tek 300 m duhet të kenë ndodhur 3 aksidente për një periudhë 3-vjeçare dhe në këtë mënyrë duhet të jetë në kontroll nga Policia. Por, ne nuk u hetojmë.

Tani kur ndodhin 3-4 aksidente ka diçka që nuk shkon dhe mund të mos faji i drejtuesve të mjeteve. Segmentet e Mazës, po ashtu nga Lezha deri në Shkodër janë akse problematike. Po ashtu, edhe Shkodër -Koplik, ka pafund ankesa për probleme në këto akse. Do të sugjeroja që kontrollin e shërbimeve t’ua lëshojnë policisë bashkiake”, tha ai. Ndërkohë, edhe eksperti Mamir Hodo tha se aksidenti në “Astir” ku humbi jetën një 67-vjeçar mund të ishte shmangur, pasi sipas tij vetëm 100 metër më tej është një mbikalim dhe këmbësori nuk kishte pse kalonte në autostradë. “Këmbësori ka kryer shkelje të qarkullimit, duke kapërcyer trafik-ndarësen. Drejtuesi i mjetit qarkullim në një rrugë që po del nga qyteti.

Veprimi që ka kryer këmbësori ka qenë komplet i beftë për drejtuesin e mjetit dhe nuk ka pasur asnjë mundësi për të reaguar. Është një shkelje e Kodit Rrugor. Një aksident i tillë kur kemi humbje të jetëve, shqyrtohet nga organe të drejtësisë. Në pamje të parë duken veprime të pakontrolluara të rolit këmbësor. Por, megjithatë jemi dëshmitarë të shume sjelljeve të gabuara që kanë bërë drejtuesit e mjeteve, por rasti konkret është ndryshe. Nga ana e tij, specialisti Gerhard Baka, theksoi se nga ana e këmbësorit janë shkelur rregullat dhe se ka bërë një veprim të paparashikueshëm për drejtuesin e automjetit. Gjithashtu ai u shpreh se duhet edhe një ndërgjegjësim edhe nga ana e drejtuesve të automjeteve.

“Fenomeni i shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor është shqetësues dhe jo vetëm në kryeqytet. Kemi vënë në dukje drejtues mjetesh që nuk i japin përparësi këmbësorëve, por duhet të theksoj se duhet të rishikuar edhe lëvizja nga këmbësorët. Është për të ardhur keq dhe theksoj se ngjarja në Astir mund të ishte i evitueshëm sepse rreth 100 m distancë ka edhe kalim këmbësorësh”, tha Baka. Më tej, referuar aksidenteve ai tha se duhet të ketë një analizë të thellë, dhe të nxirren të gjitha përgjegjësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat