Rama në Berlin: Objektivi ynë, Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm

Shqipëria

Rama në Berlin: Objektivi ynë, Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm

Më: 8 mars 2023 Në ora: 19:34
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi në Berlin një takim me përfaqësues të operatorëve dhe agjencive të njohura turistike në Gjermani, si dhe botues e drejtues të revistave prestigjioze për turizmin, në një diskutim mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim.

Gjatë takimit, Rama u shpreh se objektivi i qeverisë shqiptare për vitin 2030 është që Shqipëria të jetë kampionia e Ballkanit në turizëm.

“Nuk është e lehtë, por ne po përpiqemi. Shpresojmë dhe objektivi ynë për 2030-ën është të jemi kampionët e Ballkanit në turizëm. Sigurisht kur themi në Ballkan nuk e kemi fjalën për Greqinë dhe Kroacinë, që të jemi të qartë, as për Turqinë. Por duam shumë që të jemi kampionë dhe të tejkalojmë vende të tjera. Në vitin 2029, ne do të jemi eksportues neto të energjisë, pra do të plotësojmë vetë nevojat tona”, tha ai.

Sipas Ramës, kur vjen fjala për të huajt, Shqipëria është vendi më i mirë dhe i mrekullueshëm, sepse ata trajtohen si në shtëpinë e tyre, shkruan Atsh

“Shifrat e turizmit po rriten gjithandej në çdo vend, nga çdo vend. Aeroporti ynë është i pari në Europë pas pandemisë që është ringritur me 123 % vitin e kaluar, që janë të dhënat zyrtare të Agjencisë Europiane të Transportit Ajror. Hotelet po ndërtohen ditë pas dite, natyrisht duhet të bëjmë më shumë për turizmin e nivelit të lartë. E kemi nisur, por na duhet të bëjmë më shumë në turizmin luksoz, ndërkohë që kemi punuar shumë për të bërë një analizë të mirë të legjislacionit të vendeve fqinje dhe po bëjmë një ligj që do të jetë shumë më tërheqës për investuesit”, tha Rama, duke shtuar se gjatë viteve të fundit kanë rritur masën e zonave të mbrojtura.

“Kemi një ngjarje mjaft të madhe në javët që vijnë, që ka të bëjë me deklarimin e lumit tonë Vjosa, Park Kombëtar. Është shumë, shumë i rëndësishëm si lumë për Europën, se thonë që është lumi i fundit i egër në Europë. Sigurisht që ka mbetur i fundit, sepse të tjerët u kthyen nga “tigra”, në “mace”, për t’i shërbyer ekonomisë europiane, por tani Europa na kërkon që ta ruajmë lumin e fundit të egër, dhe edhe ne duam që ta ruajmë. Lumi mund të jetë një potencial shumë i madh për turizmin dhe ne do ta ruajmë. Sigurisht kanë thënë që duhet të investojmë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm për atë çka investojmë në turizëm, sepse duhet të shkojmë gjithmonë e më tepër drejt një turizmi që është luksoz dhe i bazuar në natyrë, jo luksoz sipas stilit të vjetër”, shtoi tutje Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat