I morën 800 euro për “punësimin” në Gjermani! Si mashtroi 31-vjeçarja në “arrest shtëpie” përmes telefonit, në pranga bashkëpunuesja

Shqipëria

I morën 800 euro për “punësimin” në Gjermani! Si mashtroi 31-vjeçarja në “arrest shtëpie” përmes telefonit, në pranga bashkëpunuesja

Më: 3 mars 2023 Në ora: 14:38
Foto ilustrim

Dy të reja nga Tirana janë vendosur në pranga, nën akuzën se mashtronin qytetarët me qëllim përfitimin monetar.  

31-vjeçarja me iniciale V. G.(Z)., dhe bashkëpunëtorja e saj, 25-vjeçarja B. A.(D)., u arrestuan pasi dyshohet se me anë të mashtrimit dhe duke përdorur dokumente false i kanë marrë 800 euro, një shtetasi nga Fieri, me pretendimin se do t’i nxirrnin atij, një leje punësimi në Gjermani.

31 vjeçarja bëri mashtrimin përmes celularit, teksa ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtin krim.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet pas 4 muajsh hetime, operacioni policor i koduar “Metoda”.

Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit.

Mashtroi përmes celularit, një shtetas, për një leje punësimi në Gjermani, teksa ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtin krim, vihet në pranga 31-vjeçarja.

Në pranga edhe një shtetase tjetër, bashkëpunëtore e 31-vjeçares.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, pas një hetimi 4-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në bazë edhe të denoncimeve të marra nga qytetarë të ndryshëm, siguruan prova se një shtetase vijonte të mashtronte përmes pajisjeve elektronike, shtetas të ndryshëm, me qëllim përfitimin, ndonëse ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, po për këtë krim.

Bazuar në këto prova, Policia e Fierit organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Metoda”, në kuadër të të cilit u ndaluan për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, 2 shtetase banuese në Tiranë, konkretisht:

– V. G.(Z)., 31 vjeçe, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentave”;

– B. A.(D)., 25 vjeçe.

Nga hetimet ka rezultuar se këto shtetase mashtronin në mënyrë të vazhdueshme qytetarë nga qarqe të ndryshme të vendit, me qëllim përfitimin monetar. Në kuadër të operacionit “Metoda”, 2 shtetaset u vunë në pranga, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit dhe duke përdorur dokumente false, kanë përfituar shumën 800 euro, nga një shtetas nga Fieri, me pretendimin se do t’i nxirrnin atij, një leje punësimi në Gjermani.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rasteve të tjera të mashtrimit të kryera nga këto shtetase.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat