Pas dy orësh, shiu mbyll protestën e opozitës! Berisha lëshoi paralajmërimin e fortë për Ramën

Shqipëria

Pas dy orësh, shiu mbyll protestën e opozitës! Berisha lëshoi paralajmërimin e fortë për Ramën

Më: 3 mars 2023 Në ora: 08:35 Përditësuar në ora: 14:28 më 03.03.2023
Pamje nga protesta

Pas dy orësh, shiu mbyll protestën e opozitës! Berisha: Tejkaloi çdo parashikim

Protesta e opozitës është mbyllur pas dy orësh për shkak të shiut. Qindra protestues u mblodhën sot në bulevard ndërkohë një pjesë tjetër protestuan para Gjykatës, aty ku po merret vendimi për vulën e PD-së.

Kryetari i PD, Sali Berisha, në përfundim të tubimit, tha nga oborri i selisë blu se protesta tejkaloi çdo parashikim.

“E jashtëzakonshme, në të gjitha kushtet kjo protestë tejkaloi çdo parashikim timin.

Protesta tejkaloi çdo parashikim dhe njëherë një mirënjohje shumë të thellë për të gjithë ata dhjetra mijëra qytetarë që lanë çdo gjë dhe e mbushën në orën 12:00 bulevardin si kurrë ndonjëherë në të njëjtën orë në historinë e këtij vendi, misionarë të jashtëzakonshëm”, u shpreh kryedemokrati.

“Do të 'fshijmë' nga faqja e dheut”/ Nuk përmbahet Berisha, ‘shpërthen’ keq ndaj Ramës

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se ”revolucioni ynë do e fshijë nga faqja e dheut”.

“Ai po përpiqet ne grahmat e fundit t’i japë goditje fatale pluralizmit, por ne jemi këtu për t’u betue se revolucioni ynë do e fshijë nga faqja e dheut cilindo që guxon të luajë me pluralizmin e lirinë e shqiptarëve”, tha Berisha në fund të fjalës së tij në protestën e 3 marsit.

Sali Berisha: Të përcjellim sa më shpejt, të përmbysim këtë organizatë kriminale, të shpëtojmë Shqipërinë prej saj.

Revolucioni ynë ka si qëllim madhor t’i japë goditje vendimtare varfërisë së qytetarëve.

Ne e konsiderojmë varfërinë nënën e të gjitha të këqijave që ka sjellë Rama.

Varfëria luftohet duke mbidyfishuar rrogat, pensionet, duke përgjysmuar taksat e cmimin e energjisë.

Varfëria luftohet duke investuar në infrastrukturë. Duke luftuar krimin e ogranizuar e korrupsionin, ju garantoj se ne do dalim fitimtar nga kjo betejë.

Por jo vetëm varfërinë, ne duhet të luftojmë tiraninë, dhunimin e lirisë që i bën Rama votës së lirë.

Pas Berishës, kryetari i Partisë së Lirisë, Meta i bashkohet protestës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë nga zyra për t’ju bashkuar protestës se opozitës.

I pari që doli nga selia e tij ishte Berisha, dhe pak pas tij Meta. Ky i fundit tha për mediat disa mesazhe.

“Kjo është e gjithë sfida. Duhet të ishte dorëhequr me kohë, nuk duhet të përdorë pozitën shtetërore për imunitet diplomatik.

Duhet të jetë në dispozicion të drejtësisë shqiptare në radhë të parë sepse ka shkelur Kushtetuën dhe së dyti edhe të drejtësisë amerikane”, theksoi ai.

Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë në Tiranë

Të rinjtë e Forumit Rinor të PD kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë ku po zhvillohet protesta e opozitës.

Bashkë me to simpatizantë të partive opozitare, qytetarë kanë nisur marshimin e tyre nga sheshi Skënderbej dhe rrugë të tjera të kryeqytetit, për t’ju bashkuar protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Me sloganin “Shqipërisë i dalim Zot”, opozita, ashtu siç kishte paralajmëruar ka nisur aksionin e saj në orën 12:00.

Protestuesit mbajnë në krahë manekina me foton e Ramës dhe të McGonigal: Të veshur si të burgosur

Qindra qytetarë janë mbledhur sot në Tiranë, për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita.

Protestuesit janë mbledhur para selisë së PD-së, dhe më pas pritet të marshojnë drejtë Kryeministrisë.

Disa qytetarët kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të protestuar ditën e sotme.

Mes tyre shihen manekinë, të veshur me veshje të burgosuri me foton e kryeministrit Edi Rama dhe foto të McGonigal.

Sot protesta e opozitës në Tiranë dhe vendimi i gjykatës për vulën e PD-së! Çfarë pritet të ndodhë

Ditën e sotme në orën 12:00 opozita shqiptare do të zhvillojë protestën e paralajmëruar para Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama të cilin e akuzon si të përfshirë në çështjen “McGonigal”.

Në kuadër të kësaj proteste Policia e Shtetit ka bërë të ditur se nga ora 10:00 do të bllokohen disa rrugë deri në përfundim të tubimit.

Rrugët ku do të bllokohet qarkullimi: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Po sot Gjykata e Apelit në Tiranë shqyrton sot çështjen e Partisë Demokratike për sa i përket vendimit se kujt i takon vula. Sot do të vendoset sa i përket ankimit të Partisë Demokratike ndaj vendimit të 25 Marsit 2022 të gjyqtarit të Shkallës së Parë, Agron Zhukri.

Më 17 Janar, Gjykata e Apelit pushoi gjykimin për çështjen e PD-së, pasi grupimi i Alibeajt u tërhoq nga ankimi për bashkimin e dy statuteve. Gjyqtari Zhukri njohu statusin e Berishës, dalë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit 2021. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat