Shqipëri, kërkohet shfuqizimi i pjesshëm i vendimeve të qeverisë për parqet dhe rezervatet

Shqipëria

Shqipëri, kërkohet shfuqizimi i pjesshëm i vendimeve të qeverisë për parqet dhe rezervatet

Më: 2 mars 2023 Në ora: 19:39
Foto ilustrim

Në Tiranë, 11 organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar Gjykatës Administrative të Apelit, që të shfuqizojë pjesërisht dy vendimet e qeverisë, të një viti më parë, mbi parqet kombëtare dhe mbi rezervatet natyrore, sepse, sipas tyre, ndryshimet e bëra mbi statusin dhe shtrirjen territoritale cënojnë integritetin e zonave të mbrojtura.

Qeveria ka deklaruar se rivlerësimi i zonave ekzistuese të mbrojtura të të gjitha kategorive pasqyron ndryshimet e territorit në 30 vitet e fundit.

Gjykata Administrative e Apelit zhvilloi sot një seancë gjyqësore, ku 11 organizata të shoqërisë civile të mbrojtjes së mjedisit kërkuan shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të qeverisë nr.60 të janarit 2022 për shpalljen e ekosistemeve natyrore, rezervave e parqeve natyrore të menaxhuara.

Në padi ky cilësohet si një vendim, që në pjesën më të madhe cënon integritetin territorial gjeografik dhe social-ekologjik të zonave të mbrojtura.

Paditësit, përfaqësues të shoqërisë civile, kërkojnë shfuqizim të pjesshëm të vendimit nr.60, i cili sipas tyre, cënon 19 nga 33 zona e mbrojtura të rishikuara, sepse 10 prej tyre iu hoq krejt statusi i mbrojtjes, ndërsa 9 të tjera cënohen në integritetin e tyre ekologjik, dhe për 14 zona nuk kanë vërejtje mbi rishikimin.

Në seancën e sotme, ku u shqyrtua dokumentacioni, sërish nuk u paraqitën përfaqësues nga qeveria as nga Këshilli Kombëtar i Territorit si palë e paditur, ndërsa mori pjesë një përfaqësuese e Avokaturës së Shtetit, e cila nuk pranoi të shprehej për median në këtë fazë mbi çështjen.

Një nga avokatet që përfaqësoi organizatat mjedisore, Irena Dule, thotë se, sipas studimeve të ekspertëve të pavarur të kësaj fushe, është mëse i nevojshëm korigjimi i zonave të mbrojtura, të cilave u është cënuar sipërfaqja, ose niveli i mbrojtjes.

“Mjedisorët janë të shqetësuar se veprimtaria e ngushtë tregtare e njeriut po i afrohet zonave të mbrojtura, që janë të tilla pikërisht nga paprekshmëria e tyre. Zhvillimi urban bën presion, duke rrezikuar vlerat e rralla natyrore të mbrojtura deri sot. Sa më pak të ndikojë zhvillimi në dëm të mjedisit aq më mirë është”, thotë avokatja Dule.

Ashtu si vendimi nr.60 i qeverisë për rezervatet natyrore, pohojnë avokatët e shoqërisë civile, edhe vendimi nr.59 mbi parqet kombëtare, po ashtu i paditur për shfuqizim të pjesshëm, është miratuar pa u zbatuar procedurat e konsultimit me komunitetet e cënuara, janë anashkaluar tërësisht mendimet e shkencëtarëve, akademikëve dhe qeverisjes vendore.

Paditë bazohen mbi studimeve në terren, që kanë kryer vet organizatat mjedisore, me kapacitetet e tyre të ekspertizës.

Ato mendojnë se në rishikimin e 23 parqeve kombëtare, janë cënuar 7 prej tyre në territor dhe ekosistem, ndaj vendimi nr.59 nevojitet të shfuqizohet pjesërisht për këto zona.

Organizatat mjedisore i shohin me dyshim gjithë këto ndryshime dhe kërkojnë ndihmën e gjykatës për të shmangur abuzime të reja të mundshme pranë parqeve natyrore, krahas ligjërimit të dëmtimeve të mëparshme, që kanë ndodhur shumica në zona të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë.

Por përfaqësues të qeverisë kanë deklaruar se rishikimi dhe rivlerësimi i zonave ekzistuese të mbrojtura të të gjitha kategorive: monumentet e natyrës, parqet kombëtare apo rezervatet natyrore, pasqyron gjithçka ka ndodhur në territor në 30 vitet e fundit.

Sipas tyre, dy vendimet e qeverisë shtuan 3 parqe kombëtare e natyrore si dhe zgjeruan nga 18 për qind në 21 për qind hapësirat e zonave të mbrojtura.

Vendimet e qeverisë zgjerojnë sipërfaqen, por ulin shkallën ligjore të mbrojtjes së disa ekosistemeve nga niveli i dytë, i tretë dhe i katërt.

Dy vendimet e qeverisë sjellin ndryshime kufijsh për 44 ekosisteme natyrore: në disa prej tyre rritet sipërfaqja e mbrojtur, por në disa të tjera sipërfaqet e mbrojtura pakësohen, ndërsa dhjetëra mijëra hektarëve u hiqet statusi i mbrojtjes, si në Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Sarandë, Kukës e Dibër./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat