Rreth 5 kilometra rrugë nuk po shtrohen dot në 5 vite, si po ndikon infrastruktura e dobët në “përzënien” e turistëve nga Golemi

Shqipëria

Rreth 5 kilometra rrugë nuk po shtrohen dot në 5 vite, si po ndikon infrastruktura e dobët në “përzënien” e turistëve nga Golemi

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 23:27
Foto ilustrim

Punimet për infrastrukturën në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit po ecin me ritme të ngadalta, duke rrezikuar një tjetër sezon të rrëmujshëm, me trafik të ngarkuar e turistë të pakënaqur. Edhe pse kanë kaluar mbi pesë vjet nga lulëzimi i turizmit në këtë zonë, nuk po arrijnë të shtrohen 5 kilometra rrugë. Nordikët po “largohen”. Edhe sa do të vazhdojmë të rrezikojmë?!

Çdo vit që nis, operatorët turistikë që e kanë të lidhur aktivitetin kryesisht në zonën e Durrësit dhe Kavajës, marrin premtimin se vera në vijim do të jetë më e mirë.

E kur kjo vjen, historia e trafikut të pafundmë, çorganizimit, ndërtimeve e zhurmës përsëritet njëlloj si në sezonet e shkuara, duke u kthyer në një prej arsyeve kryesore të mërmëritjes së turistëve ndër dhëmbë “se nuk do të bëhemi dot kurrë”.

Në raport me vite më parë, rrugicat në zonën me fluksin më të lartë turistik, siç është Golemi, kanë ndryshim të dukshëm dhe sipërmarrësit e hoteleve e pranojnë se estetikisht ka përmirësim, por ngërçi që duket se nuk po zgjidhet dot është trafiku i rrugës dytësore Plepa-Golem në të dyja kahet e rrugës kryesore.

Tani në shkurt, problematika e trafikut në mes të vapës përvëluese të korrikut e gushtit duket e largët, por operatorët kërkojnë me ngulm që punimet e nisura për të përmirësuar këtë zonë, falë një projekti të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të përfundojnë shpejt dhe në kohë para sezonit të ri. Në letra, ky projekt duhet të kishte përfunduar me kohë, por si çdo histori shqiptare, gjithmonë ka një arsye për zvarritje.

Rruga në fjalë është një nga minuset në listën e agjencive të huaja që sjellin turistë në këtë rajon dhe që nga Aeroporti i Rinasit deri në Plepa, u duhet jo më shumë se 40 minuta.

Por nga Plepat në një prej hoteleve të Golemit, në shumë raste u duhet të kalojë dy orë të mira gjatë periudhës së pikut të sezonit. Jo rastësisht, nordikët që po vinin prej disa vitesh në zonën e Golemit me kontrata të parapaguara në mënyrë të organizuar, për verën 2023 vendosën të bëjnë një hap pas.

Operatorët turistikë konfirmojnë se ka disa arsye, ku përpos shërbimit në strukturat akomoduese që ka shënuar rënie, është edhe fakti se prej vitesh po gënjehen për një zgjidhje mbi trafikun, e cila nuk po vjen.

Turistëve në disa pjesë të rrugës Plepa-Golem u duhet të ndalojnë në mes të rrugës dytësore dhe drejt hotelit të shkojnë në këmbë me valixhe dhe fëmijë në krah, pasi autobusi nuk ka ku të kalojë.

E njëjta akrobaci vlen edhe kur pushuesit kanë mbyllur ditët e tyre të pushimit dhe u duhet sërish të shkojnë në krye te rruga dytësore për të marrë autobusin.

Në këtë rast, pritja bëhet në kahun e kundërt nga do të vijë mjeti dhe me ardhjen e tij, të gjithë rreshtohen pas murit anësor të autostradës Durrës-Rrogozhinë. Ky rreshtim si përpara ndonjë toge, vlen në çdo rast kur pushuesit udhëtojnë me autobus urban apo interurban, pasi nuk ka stacion të posaçëm e as vend për të planifikuar një të tillë.

Nuk ka një stacion për pritjen e autobusit, duke i detyruar njerëzit të presin në mënyrë të rrezikshme në cep të rrugës

Rehabilitimi i rrugëve dytësore duhet të ishte mbyllur në 2022

Në korrik 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se pas një procedure prokurimi ishte zgjedhur kompania që do të kryente rindërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dytësore në pjesën Plepa-Golem, një nga komponentët e rëndësishëm të projektit tërësor që ka ky institucion në këtë zonë turistike.

Fituese në atë kohë u shpall “Cemil Ozgur Insaat Sanayi Ve Ticaret AS”, me ofertë fituese 5.52 milionë dollarë, përfshirë në këtë vlerë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me afat 12-mujor për të zbatuar projektin.

Nuk vonoi shumë dhe në fund të vitit 2021 do të fillonte përgatitja e terrenit dhe vendosja e tabelave për punimet në këto rrugë ku specifikohej se në dhjetor 2022, projekti përfundonte. Në dokumentet e tenderit në atë kohë specifikohej se do të kryheshin ndërtime të rrjeteve të reja dhe lehtësive nëntokësore të kullimit, elektrike dhe ndriçimi i rrugës.

Në objektivat e tij, FSHZH nënvizonte se synohej përmirësimi i aksesit për potencialin turistik të zonës, me qëllim zhvillimin e turizmit; rritja e cilësisë së jetës për komunitetin dhe pushuesit; rritja e mundësisë për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në zonën turistike; përmirësimi i lëvizjes së mjeteve dhe njerëzve brenda zonës turistike, si dhe përmirësimi i qarkullimit të makinave nga zona turistike drejt Kavajës, Durrësit apo Tiranës.

Por teksa punimet duhet të kishin përfunduar për të gjithë rrugën, në realitet nuk është kështu.

Ende një pjesë e mirë e volumeve të punëve, të pakryera

Në muajt e parë të vitit 2022, teksa po merreshin përshtypjet e operatorëve turistikë mbi pritshmëritë e tyre të turizmit para sezonit veror, shumica konfirmuan se prisnin që punimet në rrugën Plepa-Golem të përfundonin brenda qershorit.

Të paktën kjo në njërin kah të rrugës sekondare, që ndodhet në anën e hoteleve.

Rruga dytësore në anën e sipërme, në pjesën e kodrës, e cila është po aq e rëndësishme për shfryrjen e trafikut, do të duhej të merrte më shumë kohë.

Por çuditërisht punimet pushuan, për të rifilluar në fund të verës dhe nga ai moment, kanë vijuar normalisht, duke kryer një pjesë të volumeve të parashikuara për rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve dytësore.

Avancimi më i madh është në aksin e parë Plepa-Golem ku janë bërë kanalizimet dhe po punohet për të shtruar me asfalt të ri shtresën e dëmtuar, që ndër vite ishte arnuar tek-tuk.

Gjasat që kjo të mbarojë këtë verë, sikurse u është premtuar sërish tur-operatorëve janë të larta, nëse ritmet e punës do të mbahen aktive. Aktualisht, me një vizitë në terren mund të hasësh mjetet e kompanisë dhe të shohësh punimet e kryera. Më të ngadalta duket se janë këto punime, në rrugën paralele sekondare.

Në një pjesë të saj, rruga devijon në kodër, teksa logjikisht duhet të kishte ndjekur ecurinë lineare të saj, por në kushtet aktuale është e pamundur për shkak të disa ndërtimeve në këtë zonë. Pjesa kryesore e trupit të rrugës ka përfunduar me hedhjen e shtresës së parë, kryerjen e kanalizimeve dhe kullimit dhe mbetet vetëm një segment i shkurtër, ku do të duhet të punohet më intensivisht.

Rruga është ende e papërfunduar në të dyja anët

Banka Botërore, institucioni që po mbështet financiarisht qeverinë shqiptare në disa projekte, përfshirë pjesën e Golemit, në një raport vlerësimi të vitit të shkuar nënvizonte se shkak i vonesave ishin bërë nënkontraktimet.

Kjo do të thotë se kompania fituese nuk ishte angazhuar drejtpërdrejt në proceset e punës në mënyrë të plotë, duke lënë zbatimin në dorë të nënkontraktorëve. Në këto kushte, banka sugjeroi në raport që të vendoset një kufi për nënkontraktimet dhe të mos tejkalohet për të siguruar vijueshmëri të punëve.

“Durrës, rikonstruksioni i rrugëve të shërbimit Plepa – Golem në të dy anët e autostradës Durrës – Kavajë. Kontrata u nënshkrua në korrik 2021 për një periudhë njëvjeçare zbatimi. Këto rrugë do të ofrojnë akses më të sigurt të trafikut në autostradën kryesore mes Durrësit dhe Kavajës dhe komunikim më të mirë mes fshatrave në kodrat rrotull/zonave bujqësore dhe me zonat turistike/rekreative të vijës bregdetare.

Punimet e rindërtimit nuk parashikojnë asnjë shpronësim. Pas pesë muajsh nga nënshkrimi i kontratës, kontraktori (duke nënkuptuar vonesa nga nënkontraktori) nuk është mobilizuar plotësisht dhe progresi i punimeve është minimal.

Ekipi i Bankës theksoi nevojën për të forcuar mekanizmin monitorues të mbikëqyrësit, veçanërisht për sa i përket nivelit të nënkontraktimit (të mos kalojë një përqindje të caktuar) dhe përgjegjësisë së kontraktorit kryesor dhe llogaridhënien e tij për zbatimin e punimeve të rikonstruksionit sipas planit të zbatimit” thuhet në dokumentin e Bankës Botërore, për vlerësimin e ecurisë së këtij projekti.

Operatorët turistikë shqiptarë janë shprehur të kënaqur vit pas viti me punën që është bërë nga sipërmarrja hoteliere. Sipas tyre, përshtypja që marrin nga turistët në fillim kur sapo zbresin nga autobusi nuk është më e mira, pasi rruga ku zbresin nuk të jep aspak përshtypjen e një vendi turistik.

Zona nga Plepat te Mali i Robit vuan në aspektin estetik sipas tur-operatorëve dhe përshtypja e turistëve ndryshon sapo shohin hotelin dhe pjesën ballore te deti.

Nevoja për të ndryshuar këtë imazh dhe për të forcuar pikat e dobëta është theksuar, sidomos së fundmi nga tur-operatorët që gjykojnë se e gjithë kjo zonë ka nevojë për ndryshim serioz.

Rasti më i fundit që tërheq vëmendjen dhe kërkon më shumë angazhim është ai i nordikëve, që kanë kaluar për vitin 2023 nga kontrata me parapagim në allotment, pra paguaj sa sjell.

Ky është një hap pas për operatorët e turizmit, të cilët shprehen se rënia e cilësisë së shërbimit dhe mungesa e zgjidhjeve për probleme që mbeten sistematike vit pas viti janë arsyet për këtë hap.

“Nga ajo që ne shohim ka një rënie të numrit të revieë (përshtypjeve) që ka ardhur nga mungesa e shërbimit apo rënia e cilësisë së tij në strukturat akomoduese. Një tjetër element që ka ndikuar mendoj se është infrastruktura.

Prej disa vitesh, ne i gënjejmë për trafikun, duke u premtuar zgjidhje siç na premtohet nga institucionet, por kjo nuk po zgjidhet. Rruga dytësore në Golem, sidomos, është problem i madh. Duhet menduar për një sistemim të plotë të zonës së Golemit, sepse është plot me inerte, lavazhe, karburante.

Nuk të jep idenë e një destinacioni turistik. Pjesa e hoteleve para është mirë në aspektin estetik, por edhe aty ka zhurma, ndërtime e kantiere të hapur në sezon. Të gjithë këto elemente kanë sjellë që vlerësimi i destinacionit, në këtë rast Shqipërisë, të ishte poshtë nivelit 6 nga pushuesit nordikë”, – pohoi pak kohë më parë Rrahman Kasa, Kryetar i Unioni Turistik Shqiptar.

Largimi i turistëve

Rrahman Kasa: “Nga ajo që ne shohim ka një rënie të numrit të revieë (përshtypjeve) që ka ardhur nga mungesa e shërbimit apo rënia e cilësisë së tij në strukturat akomoduese. Një tjetër element që ka ndikuar mendoj se është infrastruktura. Nuk të jep idenë e një destinacioni turistik. Pjesa e hoteleve para është mirë në aspektin estetik, por edhe aty ka zhurma, ndërtime e kantiere të hapur në sezon. Të gjithë këto elemente kanë sjellë që vlerësimi i destinacionit, në këtë rast Shqipërisë, të ishte poshtë nivelit 6 nga pushuesit nordikë”.

Rruga

Prej disa vitesh, ne i gënjejmë për trafikun, duke u premtuar zgjidhje siç na premtohet nga institucionet, por kjo nuk po zgjidhet. Rruga dytësore në Golem, sidomos, është problem i madh. Duhet menduar për një sistemim të plotë të zonës së Golemit, sepse është plot me inerte, lavazhe, karburante.

Infrastruktura e arnuar po degradon me shpejtësi, akse të tjerë problematikë

Durrësi, edhe pse është destinacioni kryesor turistik, nuk ia ka dalë sërish të imponojë te qeveria marrjen e masave të rëndësishme për të rregulluar, në mënyrë dinjitoze, infrastrukturën. Praktika shqiptare e arnave është ajo që është zbatuar vazhdimisht për disa segmente të rëndësishme që të çojnë drejt këtij destinacioni, të cilat nuk janë një zgjidhje përfundimtare por vetëm momentale.

Nëse sot të duhet të nisesh nga Tirana për të shkuar drejt Durrësit, mund të shohësh qartësisht se autostrada Tiranë-Durrës po degradon sërish. Pas riparimeve të bëra më herët, duket se gropat në rrugë janë rikthyer, duke e bërë udhëtimin sa të pakëndshëm, aq edhe të rrezikshëm.

Kjo autostradë nuk ka pasur asnjëherë rehabilitim të plotë, duke ndjekur vit pas viti vetëm korrigjimet e vogla që qëndrojnë më pak se një stinë. Një tjetër aks i degraduar është rruga që lidh Shkozetin me Plepat. Kjo është një arterie kryesore që lidh qendrën me Jugun. Gropat dhe asfalti i dëmtuar janë shpeshtuar aq shumë sa është vështirë të gjesh një pjesë të padëmtuar.

Sigurisht për secilën prej tyre, ndoshta në muajt në vijim, nuk do të mungojë një dorë asfalt elektoral, sikurse është bërë traditë, por zgjidhja që kërkohet është më afatgjatë dhe standardet e punëve që kryen më cilësore. Infrastruktura në vendet turistike është jetike dhe mungesa e plotë e saj apo lënia në gjendje të degraduar është një minus që hiqet në vlerësimin që grupet e agjencive turistike ndërkombëtare bëjnë në mënyrë sistematike gjatë vizitave në vendin tonë.

Unaza që lidh Autostradën Tiranë- Durrës me autostradën që të çon drejt Jugut është tërësisht e amortizuar

Grupet e organizuara me kontrata me garanci për 2023

Tur-operatorët shqiptarë, pavarësisht vështirësive që hasin në negociata me agjencitë e huaja, për shkak të paragjykimit që ekziston për vendin, ia kanë dalë të nënshkruajnë kontrata të shumta. Turizmi i organizuar prej vitesh është “oksigjeni” i garantuar që para sezonit për strukturat akomoduese në zonën e Durrësit dhe Kavajës.

Të parët që do të orientoheshin drejt Shqipërisë ishin çekët dhe polakët, që preferonin çmimet e lira.

Numri i tyre për vitin 2023 pritet të jetë i lartë dhe agjencitë kanë nënshkruar me kohë kontrata me garanci.

Durrësi është bërë interesant edhe për italianët, të cilët e shohin si një alternativë të lirë në raport me vendin e tyre, por edhe me ushqim të mirë. Këta të fundit janë kryesisht individualë dhe pa organizime.

Gjermanët dhe zviceranët janë një tjetër grup që vijnë të organizuar në zonën e Durrësit edhe pse kontratat e tyre nuk janë me garanci.

Spanjollët janë një grup tjetër i konfirmuar, por që do të zgjerojë hartën e turizmit të organizuar jo më tashmë vetëm siç ka ndodhur tradicionalisht në Golem, por në Gjirin e Lalëzit, ku nga pranvera pritet të vijnë katër chartera në javë. Agjencitë kanë konfirmuar se një grup tjetër me interes janë francezët për të cilët po lobohet në mënyrë sistematike.

Në këtë tablo është e qartë se biznesi po bën punën e vet sa i takon turizmit, që aq me krenari zë vend në deklaratat e përfaqësuesve të qeverisë mbi milionat e vizitorëve që hyjnë. Por mes kësaj krenarie duhet të ketë edhe përgjegjshmëri që edhe qeveria të bëjë detyrën, duke mbështetur sektorin në nevojat që ka ku infrastruktura është një prej tyre.

FSHZH, zbatimi i projektit përfundon në maj 2023

Ecuria e projektit që financohet nga qeveria shqiptare përmes huasë së Bankës Botërore ka qenë e ngadaltë dhe vetë Fondi Shqiptar I Zhvillimit e lidh këtë me infrastrukturën ekzistuese nëntokësore të pa azhurnuar dhe sezonin turistik të vitit të shkuar.

Në një kërkesë për informacion drejtuar nga Revista “Monitor” Fondi konfirmoi se synon që zbatimi i plotë i projektit të përfundojë në maj të këtij viti para nisjes së pikut të sezonit turistik veror.

“Fondi Shqiptar i Zhvillimit luan rolin e njësisë zbatuese në projektin për rikualifikimin urban të zonës turistike të Golemit, investim me financim nga Qeveria Shqiptare përmes kredisë nga Banka Botërore me vlerë 4.5 milionë USD.

Ky projekt synon përmirësimin e aksesit drejt potencialeve të zonës, me qëllim zhvillimin e turizmit, rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin dhe pushuesit, rritjen e mundësive për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të zonës turistike dhe përmirësimin e lëvizjeve të mjeteve dhe njerëzve brenda zonës turistike si edhe lehtësimin e qarkullimit nga kjo zonë turistike drejt Kavajës, Durrësit dhe Tiranës.

Projekti është në fazë zbatimi dhe momentalisht po ecën me ritme të mira, pavarësisht vonesave që janë krijuar si pasojë e infrastrukturës nëntokësore ekzistuese (ujësjellës, KUZ, KUB, linjat elektrike dhe të fibrave optike), e cila ka qenë e paazhurnuar.

Duke qenë e pamundur të merret informacion i saktë për vendndodhjen e infrastrukturës nëntokësore dhe duke u përpjekur të shmangen dëmtimet e saj, është punuar me kujdes, çka ka çuar edhe në uljen e ritmit të punimeve në faza të caktuara, e ndërthurur kjo edhe me sezonin turistik.

Gjithashtu, moslirimi i plotë i sheshit të ndërtimit dhe trajtimi i aspekteve sociale të lidhura me zbatimin e projektit, detyrim i Njësisë së Vetëqeverisjes Vendore, kanë ndikuar në realizimin në kohë të grafikut të punimeve.

Sa më sipër, zbatimi i projektit pritet të përfundojë në Maj 2023” thuhet në shpjegimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit./Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat