Lefter Koka kërkon bashkim të dosjeve për dy inceneratorët, refuzon Gjykata e Posaçme, prokurori: Mund të humbin provat

Shqipëria

Lefter Koka kërkon bashkim të dosjeve për dy inceneratorët, refuzon Gjykata e Posaçme, prokurori: Mund të humbin provat

Më: 19 janar 2023 Në ora: 07:54
Lefter Koka

Dje, në Gjykatën e Posaçme duhej të niste gjykimi për dosjet e dy inceneratorëve, seanca që priteshin me mjaft interes.

Po ndërkohë, të pandehurit kryesorë, Lefter Koka dhe Alqi Bllako, kanë paraqitur kërkesa me anë të mbrojtësve të tyre për bashkim dosjesh, ka qenë përfaqësuesi i akuzës që e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke i parashtruar Gjykatës argumentin në të cilin bëhej cekej ideja e prishjes së provave nëse ato bashkoheshin. Në fakt, Koka prej më shumë se një viti vijon betejën në të gjitha shkallët e gjyqësorit pasi ai është nën dy masa arresti paraprak për të dy inceneratorët, atë të Elbasanit dhe të Fierit, ku në këtë të fundit janë të listuar plot 20 të pandehur, pasi emri i të ndjerit Enver Sheshi u hoq ditën e djeshme për shkak se ndërroi jetë në spital.

SHQYRTIMI

Pavarësisht kërkesës së avokatëve, për shkrirjen e dy dosjeve për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit, Gjykata nuk ka pranuar tua shqyrtojë bashkë të dyja çështjet e inceneratorëve. Seanca u shty për t’u zhvilluar në datat 1 dhe 2 shkurt, ku në datën 1 do gjykohet inceneratori i Fierit dhe në datën 2 ai i Elbasanit. Të pranishëm në seancën e djeshme paraprake për inceneratorin e Elbasanit ishin ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe deputeti socialist, Alqi Bllako. Gjykata e Posaçme nuk ka dalë ende me një vendim nëse do ta kalojë apo jo për gjykim dosjet për dy inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit. Seanca e parë ishte ajo për inceneratorin e Fierit ku ndodhen aktualisht 21 të pandehur. Që në nisje të saj, prokurorët paraqiten certifikatën e vdekjes për një nga të akuzuarit Enver Sheshi, i cili vdiq pak javë më parë në paraburgim duke kërkuar pushimin e çështjes. Një kërkesë e ngjashme për bashkim dosjesh u bë edhe ne seancën paraprake që u zhvillua për inceneratorin e Elbasanit. Këtë herë krahas avokatëve të Lefter Kokës kërkesa u bë edhe nga avokati që mbron të pandehurin Klodian Zoto, që gjykohet në mungesë. Por, kërkesa ndeshi kundërshtimin e prokurorëve që u shprehen se një gjykim përbashkët ka rrezikun e humbjes së provave.

REAGIMET

Disa prej përfaqësuesve ligjorë të të pandehurve me argumentin se çështja e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit janë të njëjta nga ana procedurale të bashkohen, pra të hetohen si një dosje e vetme. Sipas avokatëve, bashkimi i dy dosjeve bëhet për ekonomi gjyqësore.

“Paraqitëm kërkesë për bashkimin e procedimeve meqenëse janë pak a shumë i njëjti akt penal. Gjykata në rastin e inceneratorit të Elbasanit është shprehur për mospranimin e kësaj kërkesë. S’bëhet fjalë për humbje dhe favore, por për ekonomi gjyqësore, hetimet janë kryesisht të njëjta, por Gjykata e vlerësoi që jo. Prokuroria ishte kundër”, tha një prej avokatëve. “Sot, nga ana e avokatëve të disa të pandehurve kërkuam bashkim të procedimeve. Nisur nga fakti që sipas kërkuesve çështje ndodhet në të njëjtën gjendje. Gjykata nuk e pranoi”- tha një tjetër avokat për media. Avokati i një prej të pandehurve, konkretisht i Jonida Zeqos, Saimir Visha, i cili u shpreh se çështja e inceneratorit të Elbasanit, duhet të rikthehet për hetim dhe të pyetet ish-zëvendës kryeministri, Arben Ahmetajt. Sipas tij, aktualisht janë duke u gjykuar viktimat e kësaj ngjarjeje. Ai e pati edhe një akuzë për ish-shefen e kabinetit të Ahmetajt, Alda Klosi së cilës iu vodhën 120 mijë euro në banesë nga Rozeta Dobi. Sipas Samir Vishës, paratë e Alda Klosit kanë qenë për ruajtje dhe ato para duhet të kalojnë në favor të shtetit.

Dy masa arresti dhe tri akuza për ish-kreun e dikasterit

Lefter Koka është me dy masa sigurie “Arrest në burg” për dy inceneratorë, atë të Elbasanit dhe të Fierit. Aktualisht, në pritje të përfundimit të hetimeve, është në paraburgimin e Durrësit, në të njëjtën dhomë më Alqi Bllakon, ish-deputetin e PS dhe ish-vartësin e tij, i cili akuzohet po ashtu për të dy incineratorët. SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services”, si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Lefter Koka akuzohet se ka përfituar 3.7 milionë euro nga inceneratori i Elbasanit. Hetimet për inceneratorin e Elbasanit janë të parat që përfundojnë nga SPAK-u, teksa në proces përfundimtar është edhe ai i Fierit. Ndërkohë që duhet thënë se Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto tre personazhet e rëndësishme për hetimet e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier, tashmë në kërkim ndërkombëtar, janë hetuar edhe më herët nga prokuroria e Elbasanit, për të njëjtat akuza për të cilat SPAK i ka marrë të pandehur. Në dosje thuhet se procedimi është regjistruar në 26 maj të vitit 2017 pas denoncimit të një personi me emrin Lefter Çollaku, i cili pas verifikimeve në regjistrin e gjendjes civile ka rezultuar anonim. Por, pas hetimit njëvjeçar çështja është pushuar nga Gjykata e Elbasanit, katër vjet më parë, pikërisht në 11 janar të vitit 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat