“Shqipëria ime”, artistë të talentuar të shkollave përcjellin vlerat e krenarisë kombëtare

Shqipëria

“Shqipëria ime”, artistë të talentuar të shkollave përcjellin vlerat e krenarisë kombëtare

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 14:10
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot mori pjesë sot në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për finalistët e konkursit të pikturës “Shqipëria ime”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Rama u shpreh se artistët e talentuar nga të gjitha shkollat e vendit, i kanë bërë promovimin më të veçantë Shqipërisë, “duke përcjellë vlerat më të larta të atdhedashurisë, krenarisë kombëtare, figurave dhe simboleve tona më të dashura, si dhe ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e popullit tonë”.

Kryeministri vlerësoi se ka parë në këtë konkurs talente mbresëlënëse.

“Uroj që ndonjë prej tyre të vazhdojë këtë rrugë, por nga ana tjetër ju këshilloj që pavarësisht se mund të zgjidhni një tjetër rrugë për jetën tuaj profesionale, të mos e lini këtë aktivitet të syrit, mendjes dhe duarve që është një ushtrim shumë i mirë për ju dhe që pasuron jetën e njeriut. E njëjta gjë vlen për muzikën, instrumentet muzikore, skulpturën, poçerinë, qëndistarinë e me radhë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se pikërisht ky ka qenë edhe qëllimi i programit jashtëmësimor për artet, zejet dhe sportin që do të zhvillohet në ambientet e shkollave.

“Ne synojmë t’i japim mundësi të gjithë fëmijëve që të mund të kalojnë një pjesë të kohës së tyre të lirë duke ushtruar shqisat dhe mendjen e tyre përmes një disipline artistike apo një disipline të zejtarisë. Rruga e artit është e vështirë, jo e lehtë, por është një rrugë shumë e bukur”, tha ai.

Ai shprehu besimin se programi do të jetë një mbështetje për prindërit se do t’i japë mundësi që t’i lënë fëmijët në mjedise ku merren me art e me zeje dhe të qëndrojnë për disa momente larg kompjuterëve e telefonave celularë duke u shoqërizuar pak më shumë me njeri-tjetrin.

“Patjetër që teknologjia duhet sepse është e ardhmja dhe është e pashmangshme. Ne si gjeneratë tjetër nuk e ndalojmë dot edhe sikur të duam por duhet të krijojmë kushte, mundësi, hapësira sado të vogla që t’i shkëpusim për sa më shumë momente fëmijët nga celulari dhe Ipad-i”, tha Rama.

Duke folur për konkursin “Shqipëria ime”, Rama u shpreh se punët u përzgjodhën nga publiku dhe nga një komision profesionistësh, të cilët janë realisht të befasuar nga cilësia e tyre, shkruan Atsh

Ky konkurs është shndërruar në një aktivitet të përvitshëm, duke krijuar një traditë në prag të fundvitit nga Ministria e Arsimit për të ekspozuar piktorët e rinj. Këtë vit në linkun e aplikimit kanë shkruar afro 2500 piktura rreth bukurive natyrore të Shqipërisë, momenteve dhe figurave simbolike të historisë që do të mbeten të paharruara për vlerën e madhe kombëtare që bartin.

Në përfundim, Rama ndau certifikata për fituesit në këtë konkurs.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat