Pronat, skemë e re për rivlerësimin e dosjeve. Kur ka tjetërsim të zërit kadastral, çmimi do të vendoset me çmim tregu

Shqipëria

Pronat, skemë e re për rivlerësimin e dosjeve. Kur ka tjetërsim të zërit kadastral, çmimi do të vendoset me çmim tregu

Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Brenda 3 muajve, konkretisht deri në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm, Agjencia e Trajtimit të Pronave do të duhet që të ketë përfunduar rivlerësimin financiar për më shumë se 10 mijë dosje, të cilat preken nga ndryshimi i zërit kadastral.

Ligji i ndryshuar është publikuar të enjten në fletoren zyrtare, ndërsa hyn në fuqi pas 15 ditësh. Por cila është skema që do të aplikohet për rivlerësimin? Vendimet përfundimtare që kanë njohur vetëm të drejtën e kompensimit të pronës, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit. Ndërsa kur ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral aktual. “Subjekti i shpronësuar kompensohet në masën 10 për qind të vlerës së pronës, sipas zërit kadastral aktual”, thuhet në ligj.

KTHIM-KOMPENSIM

Çfarë preken drejtpërsëdrejti nga këto ndryshime janë ato familje që kanë përfituar më herët një pjesë të pronës, pra iu është kthyer. Nëse me ligjin e mëparshëm këto familje konsideroheshin të kompensuara, me skemën e re do të marrin 10 për qind të diferencës ndërmjet pronës së mbetur dhe asaj të kthyer.

“Kështu në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është e barabartë me zero lek dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me 10 për qind të diferencës që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim”, përcaktohet në ligj. Ndërsa në rastet kur ka ndryshuar zëri kadastral, llogaritet vlera e pronës së njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit. Më pas llogaritet vlera e pronës së kthyer, e kompensuar fizikisht apo e përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar kthimin dhe kompensimin e pronave.

Më tej, vlera e pronës së kthyer i zbritet vlerës së pronës së njohur për kompensim. “Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me zero lek dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me diferencën që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim”, thuhet më tej në ligj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat