Tre muaj pas hedhjes së një të huaje nga dritarja e banesës, reagoi Policia - ende s’ka shkaqe dhe autorë

Shqipëria

Tre muaj pas hedhjes së një të huaje nga dritarja e banesës, reagoi Policia - ende s’ka shkaqe dhe autorë

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 09:06
Foto ilustrim

Që nga 14 gushti, një vajzë keniane, e punësuar në një kazino të Tiranës, gjendet e shtruar në Spitalin e Traumës me plagë të shumta e me thyerje të shumta.

Ngjarja është trajtuar si aksidentale nga Policia derisa në Shqipëri ka mbërritur nëna e saj, e cila ka nisur edhe verifikimet për të mësuar të vërtetën në lidhje me atë çka i ka ndodhur së bijës.

Fillimisht, ajo ka takuar shoqen e saj me të cilën vajza, vetëm 22 vjeçe, e ardhur nga Kenia dhe e punësuar në Tiranë, kishte ndërruar turnin.

Ajo i ka thënë se atë natë dikush ka hyrë në banesën e saj, sepse i ka telefonuar dhe për pasojë nuk dihet se çfarë ka ndodhur në dhomën në të cilën ka qenë e strehuar kenianja. Mirëpo, ajo që është ende e pakuptimtë është fakti që Policia dhe prokuroria nuk kanë bërë asnjë veprim hetimor për të parë se çfarë vërtetë ka ndodhur orëve të parë të 14 gushtit.

Vetëm ditën e djeshme, Policia e Tiranës ka dalë në një njoftim me anë të të cilit bën me dije se ngjarja është referuar në prokurori dhe se është regjistruar një procedim penal për plagosje të rëndë.

Mirëpo deri ditën e djeshme, as Policia dhe as Prokuroria nuk kanë një emër të dyshuar për krimin e rëndë. Vajza prej tre muajsh është në spital dhe në gjendje të rëndë shëndetësore. Prej një muaji, te koka e krevatit i qëndron e ëma.

REAGIMI ZYRTAR I POLICISË 

Policia e Tiranës ka reaguar ditën e djeshme për rastin e 22-vjeçares nga Kenia, duke dhënë detaje që lidhen me ngjarjen e regjistruar më 14 gusht. Policia thotë se në përfundim të veprimeve të para hetimore, për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Sipas të dhënave, mësohet se ka qenë shoqja e saj gjithashtu, nga Kenia, që ka denoncuar zhdukjen e 22- vjeçares me iniciale J.A. 22- vjeçarja u gjet pa ndjenja në afërsi të banesës së saj në rrugën “Pandeli Evangjeli”, në Tiranë. 22-vjeçarja ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, sakaq rrethanat e zhdukjes dhe gjetjes së 22-vjeçares mbeten misterioze, ndërsa ka dyshime se e reja nga Kenia mund të jetë dhunuar.

Nëna e 22-vjeçares ka thënë se nuk dyshon për aksident, e as për vetëvrasje. Ajo është shprehur e bindur se dikush ka tentuar ta vrasë atë në shtëpi. E ëma pretendon se 22-vjeçaren e kanë hedhur nga ballkoni i ndërtesës, ndërkohë që ende nuk dihet nëse Policia dhe Prokuroria të kenë marrë dëshmitë e ndonjë personi apo të njohuri të të plagosurës. Po ashtu, ende nuk është mësuar se çfarë ka ndodhur natën e ngjarjes dhe se me kë ka qenë vajza që sapo kishte mbaruar turnin e punës në një nga kazinotë e njohura në kryeqytet.

RRËFIMI I NËNËS SË VAJZËS

Për emisionin “Pa gjurmë” nëna e 22-vjeçares ka thënë: “Unë jam nëna e Xhoit. U informova se ajo kishte humbur nga kompania e burimeve njerëzore ku ajo ishte e punësuar.

Xhoi u nis për në Shqipëri më 14 shkurt, pra, ajo mbërriti këtu më 15 shkurt. Ajo ishte e punësuar. I pëlqente puna e saj dhe gjithçka deri në çastin e aksidentit. Çfarëdolloj gjëje që të ketë ndodhur në rezidencën e saj pas punës është ende e panjohur. Ajo ishte duke punuar në turnin e natës më datë 12 gusht. Të shtunën, në 3 të mëngjesit, u kthye nga turni i natës. Isha duke folur me të me anë të ‘WhatsApp’-it.

Ishte në gjendje të mirë. Dukej në rregull. Nga ora 3 deri në orën 3 e 25. Atëherë mora mesazhin e fundit nga ajo. Ajo ishte hera e fundit që folëm deri më tani. Që atëherë ajo nuk ka folur më. Më 13 nuk më foli. As më 14 nuk më foli. Kur erdha këtu gjeta Xhoin te shërbimi intensiv. Nuk merrte frymë. Nuk mund të hapte as sytë, nuk mund të bënte asgjë.

Kur e takova doktorin te shërbimi intensiv më tha se gjendja e saj nuk është e mirë dhe se nuk kanë shpresa se ajo do të arrijë të marr frymë e vetme. Ka nevojë për ndërhyrjen time. Ndoshta, nëse ndodh ndonjë mrekulli, Xhoi do arrijë të marrë frymë vetë.

Vazhdova së vizituari Xhoin dy herë në ditë, një herë në mëngjes, në orën 11 dhe një herë pasdite derisa një ditë hapi sytë.

Atëherë doktori më tha se duan të përpiqen ta heqin nga aspiratori që të marrë frymë vetë. U deshën dy javë që të dali nga aspiratori. Ia doli. Më 11 tetor, lëvizi nga shërbimi intensiv dhe shkuam te pavijoni. Ka pasur një rast kur më ka thënë se nuk ndihet e sigurt. Ka qenë 1 gusht. Ka pasur një debat me shoqen e dhomës dhe pas asaj date, pas 1 gushtit, e çuan në një rezidencë tjetër. E kaluan nga rezidenca ku jetonte, në rezidencën tjetër ku u lëndua. Ajo nuk kishte të dashur në Shqipëri, por në të kaluarën ka pasur. Është një vajzë e bukur dhe ka admirues.

Fakti që ajo është hedhur në anën tjetër të dritares, në anën tjetër të ndërtesës…Nuk e di çfarë ka ndodhur. Doktorët më thanë që ajo ka pasur mungesë oksigjeni për një kohë të konsiderueshme, çka do të thotë se ajo nuk ra nga kati i dytë. Hetimet janë duke vijuar që kur kontaktova Policinë. Ato më thanë se prokurori po merret me çështjen. Në fund, gjeta një OJQ, e cila më gjeti një avokat, i cili pranoi çështjen time dhe tani ai po merret me çështjen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat