“Qeveria heshti?!” Pedagogët pezullojnë bojkotin, paralajmërojnë protestë më 8 nëntor

Shqipëria

“Qeveria heshti?!” Pedagogët pezullojnë bojkotin, paralajmërojnë protestë më 8 nëntor

Më: 6 nëntor 2022 Në ora: 20:37
Ilustrim

“Për habinë e gjithkujt, Qeveria heshti?!”

Kështu shkruhet në deklaratën e bërë publike nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë teksa i referohet qëndrimit të tyre lidhur me grevën e pedagogëve.

Më herët në datë 3 nëntor 2022, SPUSH iu drejtua Presidentit të Republikës, duke kërkuar garanci kushtetuese për paprekshmërinë e integritetit të pedagogëve vullnetarë, që do të hynin në grevën e urisë.

Por sipas tyre “Heshtja institucionale provokoi protestat dhe bojkotin e procesit mësimor, çka ndikoi në sjelljen e saj në një përshkallëzim të formës së saj, me Ngujimin në Grevë Urie. Mosbesimi ndaj institucioneve për shkak të intimidimit nga brenda dhe jashtë institucioneve të arsimit te lartë, në vijimësi, mbolli pasiguri qytetare dhe akademike, në realizimin e këtij akti sublim!”

SPUSH  njofton se ndodhur përballë kësaj situate kritike, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:

1. Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët;

2. Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;

3. Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!

4. Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qëndror të UPT.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat