​Berisha njofton për datën e protestës: Me 12 nëntor nisim betejën e madhe kundër regjimit absolut

Shqipëria

​Berisha njofton për datën e protestës: Me 12 nëntor nisim betejën e madhe kundër regjimit absolut

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Opozita në Shqipëri ka vendosur datën 12 nëntor për protestë kundër kryeministrit Edi Rama. Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se është optimist se në këtë protestë do të bashkohen burra e gra për t’i dhënë përgjigjen Ramës. Ai në konferencë për media ka shtuar se PD, Partia e Lirisë dhe forca tjera opozitare me 12 nëntor do të nisin betejën ndaj regjimit të tanishëm.

Sipas tij, në të gjithë Shqipërinë po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes, siç e quajti ai, katastrofë të vjedhjeve të mëdha.

Berisha: Me 12 nëntor nis beteja kundër regjimit të urryer absolut

“Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe forca të tjera opozitare nisin më datë 12 nëntor betejën e madhe kundër regjimit të urryer absolut, regjimit të narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, regjimit të partisë-shtet, regjimit të Edi Ramës. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e urrejtjes ndaj monizmit të Edi Ramës, në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e alarmit ndaj katastrofës të krijuar nga vjedhjet e mëdha dhe të papërmbajtura të fondeve buxhetore, të pasurive publike, të qytetarëve shqiptarë. Vjedhjet e buxheteve familjare nëpërmjet çmimeve të larta. Pabarazisë absolute para ligjit që sundon në Shqipëri”, ka deklaruar ai.

Njëjtë si tani, ai tha se ka pasur interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjen me regjimin e Enver Hoxhës.

Ish-kryeministri Berisha shtoi se pret që gratë e burrat t’i bashkohen kësaj proteste, për t’i dhënë përgjigje kryeministrit Edi Rama.

Berisha: Unë kam besimin më të madh se burrat e gratë do t’i bashkohen protestë

“Unë kam besimin më të madh se të rinj, të rejat e Shqipërisë që ndodhen në vend dhe ata që janë larguar për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar jetën në Shqipëri, burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet. Ky është një armik i egër i votës së lirë të shqiptarëve, ky është një plaçkitës i paskrupull nëpërmjet shtetit elektoral, patronazhistëve, grupe të tëra terroristë të kuq, nëpërmjet bandave kriminale dhe parave të drogës, i votës së shqiptarëve. Ky është një armik i egër i interesit kombëtar të shqiptarëve”, ka shtuar Berisha.

Berisha e quajti kryeministrin Rama edhe antishqiptar.

Berisha: Edi Rama është një antishqiptar i pakorrigjuar

“Edi Rama është një antishqiptar i pakorrigjuar. Në samitin e fundit në Pragë, padroni i tij, në fjalën që do mbante në darkë, Aleksandër Vuçiq do i drejtohej audiencës: ‘Kam 17 vite që përpiqem me udhëheqjen politike të Kosovës dhe nuk arrij asnjë marrëveshje, ndërkohë me sivëllain tim binjak, Edi Rama biem dakord në çdo gjë dhe merremi vesh për çdo gjë’, ky është Edi Rama për çdo shqiptar”, ka përfunduar ai.

Sali Berisha shtoi se do të ketë takime me qytetarët që t’i bashkohen kësaj proteste me 12 nëntor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat