“Operacionet dekonspiroheshin, 14 kriminelë u arratisën”- Ministri Çuçi paralajmëron hetim për ish-kryepolicin Gledis Nano!

Shqipëria

“Operacionet dekonspiroheshin, 14 kriminelë u arratisën”- Ministri Çuçi paralajmëron hetim për ish-kryepolicin Gledis Nano!

Më: 8 shtator 2022 Në ora: 08:07
Ministri Çuçi dhe Geldis Nano

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, paralajmëroi dje hetim të thelluar lidhur me deklaratën e ish-kryepolicit Gledis Nano se 14 kriminelë u arratisën për shkak se operacionet ‘shiteshin’.

Sipas tij, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, do të përfshihet në hetimet për të zbuluar ata që dekonspirojnë operacionet policore. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Çuçi u shpreh se Nano kishte për detyrë t’i luftonte këto dekonspirime.

“Pa diskutim që është shqetësuese, por edhe pjesë e punës së përditshme që ka Policia e Shtetit dhe sidomos Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga këta elementë të inkriminuar që dekonspirojnë operacionet e Policisë. Në lidhje me deklaratën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, kur nuk e di drejtori në detyrë, vështirë se do ta dijë ministri këtë gjë. Ne do ta hetojmë dhe do ta thellojmë hetimin dhe pa diskutim do përfshihet edhe ish-drejtori i Policisë, i cili ka bërë këtë deklaratë të tillë, për të shkuar drejt zbardhjes të së vërtetës për të goditur këdo që dekonspiron nga brenda operacionet e Policisë”, theksoi Çuçi.

Tre ditë më parë, në një intervistë për reportazhin “Hetime Ekskluzive”, për kanalin francez “Metropole”, Gledis Nano foli për një nga operacionet më të bujshme të viteve të fundit, “Plumbi i artë” ku deklaroi se gjatë kohës që ishte në detyrë, 14 kriminelë janë arratisur për shkak se ishin të informuar për operacionin. Ai konfirmoi se ky operacion është dekonspiruar pasi nga 32 persona që ishin për t’u arrestuar, iu vunë prangat vetëm 18 prej tyre, e ndërsa “kokat e krimit”, mes tyre edhe Ervis Martinaj, u arratisën.

“Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale.  Kishim 32 në shënjestër dhe arrestuam 1, 2, 3 ,4 …18. Anëtarë të bandave jashtëzakonisht shumë të dhunshme të trafikut të drogës dhe vrasjeve me pagesë”, rrëfen Nano në dokumentar, duke dashur të theksojë faktin se pavarësisht dekonspirimeve, ka pasur edhe rezultate pozitive.

Nano u shkarkua nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas mbledhjes së qeverisë më 31 gusht. Por vazhdon të mbulohet me mister shkarkimi nga detyra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndërkohë që një nga pistat që u diskutua gjerësisht është zbulimi nga ana e Nanos i lidhjes së Policisë me krimin. Muhamet Rrumbullaku është emëruar Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Lajmin e bëri dje të ditur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, pas mbledhjes së qeverisë. Ai tha se Rrumbullaku plotëson të gjitha kushtet për të qenë numri një i policisë.

“Zoti Rrumbullaku është një oficer karriere që ka mbajtur dhe kryer shumë detyra në gjithë piramidën e Policisë së Shtetit, i vlerësuar në çdo pozicion që ka qenë. I vlerësuar gjithashtu edhe së fundmi në pozicionin që ka mbajtur deri javës së kaloi të drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, theksoi Çuçi. Prej 24 marsit të këtij viti, Rrumbullaku mbante postin e Drejtorit të Mbikëqyrjes Policore, të cilin e dorëzoi disa ditë më parë dhe aktualisht mbahet nga Ardi Veliu. Në krye të AMPsë u vendos Ardi Veliaj, post që mbahej nga Rrumbullaku.

Nano, 10 muaj në krye të Policisë, çfarë deklaroi Çuçi gjatë prezantimit

Gledis Nano, 10 muaj më parë, mori të gjitha vlerësimet nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë prezantimit si drejtor i ri i Policisë së Shtetit. Pavarësisht vlerësimit për figurën e tij, ishte po ministri Bledi Çuçi, i cili komunikoi shkarkimin e Nanos nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së shtetit.

“Ka shkallë përgjegjësie deri tani, qeveria ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të Nanos është një masë efikase për të pasur një reagim më të fortë në luftën kundër krimit”, tha Çuçi.

Nano ka qenë pjesë e bluve prej shumë vitesh, ndërsa ka mbajtur detyra të rëndësishme, pavarësisht se është kujdesur për një profil të ulët publik. Që prej 17 shkurtit 2016 ka qenë në krye të Drejtorisë së Antiterrorit, ndërsa ka rënë disa herë në sy për çështje tejet delikate.

Gledis Nano, si pjesë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, por jo si drejtues, është kujdesur për njërën prej dosjeve më të bujshme të viteve të fundit, atë të “imamëve” që u arrestuan dhe dënuan për terrorizëm në vitin 2003. Kjo ngjarje ka pasur jehonë në atë kohë dhe i dha ngritje të lartë Nanos. Një tjetër dosje e rëndësishme që Gledis Nano ka hetuar ka qenë ajo e celulës terroriste të qeverisë iraniane, të cilët kishin planifikuar një sulm ndaj lëvizjes opozitare që jetojnë në Shqipëri, në vitin 2019.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, Nano ka udhëhequr riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet famëkeqe të Sirisë, operacione që kanë pasur nivel të lartë vështirësie. Puna e kryer si drejtues i Antiterrorit i rriti kredencialet Gledis Nanos edhe në sytë e amerikanëve, të cilët nuk kanë hezituar ta vlerësojnë. Ai ka pasur bashkëpunim të ngushtë gjatë ushtrimit të detyrës me selinë pranë Rrugës së Elbasanit. Ai u emërua si Drejtor i Përgjithshëm në 6 tetor 2021 pas dorëheqjes së Ardi Veliut dhe e ka mbajtur këtë detyrë për vetëm 10 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat