‘M’bane pis, më pengove…’/ Kush e nisi sherrin banal që përfundoi me vrasjen e Madrid Ulqinakut

Shqipëria

‘M’bane pis, më pengove…’/ Kush e nisi sherrin banal që përfundoi me vrasjen e Madrid Ulqinakut

Më: 20 gusht 2022 Në ora: 12:59
Viktima, Madrid Ulqinaku

I vetmi i arrestuar për vrasjen e Madrid Ulqinakut mbrëmjen e 17 gushtit pranë stadiumit në Elbasan, ka zbuluar para hetuesve se si ndodhi ngjarja e rëndë.

Për këtë vrasje është shpallur në kërkim Horgito Peqini, 18 vjeç dhe Klaudjan Sallufi, 33 vjeç. Sipas Policisë, ka qenë Horgito Peqini që akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të Madrid Ulqinakut, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën në vendngjarje.

Përmes dëshmisë, zbulohen dhe detaje nga dinamika e këtij krimi të rëndë që i mori jetën babait të një vajze të vogël.

Eiden Dimo, i cili ka pranuar në polici se ka qenë në vendin e krimit dhe në shoqërinë e autorit të krimit.

Horgito Peqini është nipi i Eduart Peqinit, i njohur ndryshe si “Mandela” i Elbasanit, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm për shkak të krimeve që ka kryer në vitin 1997-të.

DËSHMIA

Pasditen e 17 gushtit, Klaudjan Sallufi dhe Eiden Dimo, janë takuar në banesën e Oerd Peqinit, i cili rezulton të jetë vëllai i Horgito Peqinit. Atje ka gjetur edhe Horgiton dhe Klaudjan Sallufin, të cilët kishte 1 vit që i njihte.

Me vete kishte marrë dhe një dorezë hekuri, të cilën e kishte blerë online.

Në banesë sipas dëshmisë së tij, është konsumuar birrë dhe lëndë narkotike.

“Pasi kemi pirë disa birra, Klaudjan dhe Horgito, të dy kanë konsumuar disa viza kokainë mesa mbaj mend tre-katër viza secili. Unë vetë kam pirë vetëm birra dhe nuk kam konsumuar lëndë narkotike kokainë.

Kur unë vajta te shtëpia, pashë që Klaudjani kishte pistoletë mbi divan. Pasi pimë birrat dhe kokainën që konsumoi Horgito dhe Klaudjani, unë kam bërë një ‘video live’ në rrjetin tim social ‘Instagram’ ku kam adresën…

I shpalluri në kërkim Klaudjan Sallufi

Pas videos qëndruam edhe pak në shtëpi edhe më pas dolëm. Kur dolëm, Horgito mori pistoletën dhe e futi në marsupin që kishte apo në brez, kurse Klaudjani mori një thikë në dorë dhe me pyeti: ‘…kë do mbash në çantë thikën apo mos e do ti pistoletën…?’

Unë i thashë që do mbaj thikën se pistoletë nuk kam mbajtur ndonjëherë. Futa thikën në çantën marsup që kisha me vete, e cila është e zezë…”, ka treguar në Polici Eiden Dimo.

VRASJA

Më pas, tre të rinjtë kanë dalë dhe kanë marrë rrugën drejt bulevardit.

“Kur ishim në rrugën që sapo kalon stadiumin, unë po ecja para me Horgiton kurse pas nesh, në më pak se 1 metër po ecte Klaudjani.

Në një moment, unë shikoj që 2 persona kishin kapur nga duart Klaudjanin dhe po bënin llafe me atë.

Unë dhe Horgito u afruam direkt. Këta shtetas i njoh, sepse i kam në lagje dhe quhen Madrit Ulqinaku dhe tjetri Herion H. Sapo i pashë që po konfliktoheshin me Klaudjanin, u afrova për t’i ndarë, sepse i njihja të dyja palët.

Kur më pa Madriti, mu afrua dhe më tha:…Ti je çuni i Kelit, ç’do ti me këta…’. Unë thashë: ‘…jo nuk kam punë me ta, por çfarë keni që ziheni…’.

Horgito, ndërkohë po i bërtiste Madritit dhe i tha: ‘Ta q…. r….’ dhe sapo tha këtë Horgito, nxori pistoletën nga çanta e zezë, ia drejtoi armën Madritit dhe i qëlloi me armë një herë dhe Madriti u rrëzua në tokë”, thotë ai.

Më pas të tre ne u larguam me vrap nga aty. Dhe Horgito iku me pistoletë në dorë. Horgito kishte kapele të zezë në kokë, bluzë të bardhë, me një marsup të zi dhe pantallonat nuk ia mbaj mend. Unë shkova drejt farmacisë që ka mami im aty. Më pas, më kapi një polic dhe më shoqëroi në Komisariat. Dua të them që nuk e di ku shkoi Klaudjani me Horgiton, sepse nuk i pashë ngaqë vrapova direkt…”.

“Më pengove”, sherri banal që përfundoi në vrasje

Midis personave të marrë në pyetje, është edhe shoku i viktimës, i cili ka deklaruar se konflikti ka nisur për arsye banale.

“…jemi ngritur nga kafja rreth orës 21:00 dhe kemi qenë duke ecur në këmbë në trotuarin e bulevardit, me drejtim për nga stadiumi. Në një moment të caktuar, përballë nesh ishin duke ecur tre djem, ku njëri prej tyre filloi të ngacmojë pa asnjë motiv shokun tim Madritin, dhe konkretisht me fjalët ‘…m’bane pis, më pengove…’ dhe filluan të ofendoheshin mes njeri-tjetrit, dhe se ky person quhet Klaudjan Sallufi.

Personi tjetër që shoqërohej me Klaudjanin, menjëherë ka nxjerrë një pistoletë, e mbushi dhe në një distancë shumë të afërt ka shtënë një herë në drejtim të Madridit, i cili menjëherë është shtrirë në tokë…”, ka dëshmuar shoku i viktimës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat