Vangjeli: Berisha, avokat që i bën dëm Metës, ja pse Ramës nuk i intereson që ish-presidenti të largohet nga politika

Shqipëria

Vangjeli: Berisha, avokat që i bën dëm Metës, ja pse Ramës nuk i intereson që ish-presidenti të largohet nga politika

Më: 30 korrik 2022 Në ora: 08:34
Lorenc Vangjeli

Për analistin Lorenc Vangjeli, ligji i dekriminalizimit është një nga më kriminalët që ka votuar ndonjëherë Kuvendi i Shqipërisë, duke mohuar kështu të drejtën e shenjtë të rehabilitimit që parashikon drejtësia.

Në një studio televizive dje, duke u ndalur tek akuzat ndaj Ilir Metës si ish i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, Vangjeli theksoi se në rastin konkret Sali Berisha është avokat më i keq për ish-presidentin.

Madje analisti shtoi se ndarja në dy blloqe, bardhë e zi, në Tiranë, synon të imponojë një qëndrim të gabuar.

“Një avokat i keq bën më shumë dëm sesa një prokuror i mbarë. Sepse një prokuror i mbarë do të tentonte drejt të vërtetës.

Ndërsa avokatia e zotit Berisha është vetëm reflektive. Nëse kundërshtarët e tij do të pohojnë diçka, ai do të nxitojë të mohojë. nga ana tjetër është një histori shumë më e komplikuar sesa duket në pamje të parë. Ka një pretendim sipas të cilit zoti Meta kur ka qenë student 30 e ca vite më parë, ka qenë i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit. Unë mendoj se sërish ndarja në dy blloqe bardhë e zi në Tiranë synon dhe tenton të japë qëndrim të gabuar dhe të bëjë arbitrim të gabuar. Edhe krimi i vrasjes rehabilitohet një ditë, pas 25 apo 30 vitesh. Kjo ka të bëjë me ligjin e dekriminalizimit, por që është një nga ligjet më kriminale që kanë miratuar ndonjëherë deputetët shqiptarë. Ka vrarë atë që është e shenjtë në drejtësi, të drejtën e rehabilitimit. Mes shumë mëkatarëve të Tiranës pakkush ka të drejtë të godasë me gurë Ilir Metën apo ndonjë tjetër, deklaroi ai.

Por teksa Partia Socialiste ka paralajmëruar një ligj për të privuar ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit që të zgjidhen në politikë, analisti Lorenc Vangjeli shprehet se ky nuk është plan i Edi Ramës. Sipas tij, kryeministri në raport me kundërshtarët sillet si një strateg aq sa ka arritur edhe t'i emërojë ata.

Ndërkohë Vangjeli shtoi se Rama është komod jo vetëm më Metën përballë, por edhe me Berishën.

“Edi Rama nuk ka asnjë interes që Meta të largohet nga politika. Atij i duhet një tjetër fushë beteje ku Ilir Meta të shpenzojë nerva, kohë, energji e të tjera. Ramës i intereson Ilir Meta përballë. Ai është armiku i përkryer i Edi Ramës, i cili me të njëjtën lehtësi që ka formuar kabinetin qeveritar, ka arritur në momentin që të emërojë edhe armiqtë e tij. është shumë i lumtur për këtë, më besoni. Ndryshe nga Ilir Meta që sa herë i përmendet emri i kujtohet koha që nga Poliçani, te tunelet e Krrabës e deri në një seri të pafundme akuzash si video e famshme me Dritan Priftin apo plani për të vrarë dy deputetë shqiptarë”, nënvizoi analisti Lorenc Vangjeli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat