Biznes me vdekjen/ Çifti donte një varr në Tufinë, punonjësi mori ryshfet për të liruar dy vende

Shqipëria

Biznes me vdekjen/ Çifti donte një varr në Tufinë, punonjësi mori ryshfet për të liruar dy vende

Më: 8 korrik 2022 Në ora: 18:56
Foto ilustrim

Në skemën korruptive, ku sekserët takonin njerëzit që donin të varrosnin dikë apo rezervonin një varr, ishin përfshirë edhe disa zyrtarë që punonin në varrezat e Tufinës.

Sipas dosjes hetimore, në fund të muajit maj të këtij viti, një denoncim ka ardhur në polici nga një grua, me inicialet M.S.

Në kallëzimin e saj, M.S., ka shpjeguar se para tre vitesh ka qenë e interesuar për dy varre, një për vete dhe një për bashkëshortin e saj.

Po në atë periudhë në muajin shtator të 2019, ajo është takuar me një person me emrin Bujar dhe sipas kallëzueses është shoferi i varrezave në Tufinë, citon Gazeta SI.

Bujari i ka thënë që e njihte përgjegjësin e varrezave të Tufinës që quhet Andi dhe bashkë me të do të gjejnë varret që kërkonte zonja M.S.

Më tej kallëzuesja, bashkë me bashkëshortin e saj, me Andin dhe Bujarin janë takuar tek varrezat.

Andi i ka treguar çiftit për dy varre, brenda të cilëve preheshin dy trupa. Por, në këmbim të 50 mijë lekëve, ai ishte i gatshëm të zhvarroste kufomat, t’i fuste në vendet murale dhe në vend të tyre, të shkruante në varre emrat e M.S. dhe burrit të saj.

Në muajin dhjetor 2019, pasi M.S., ka marrë shpërblimin e Vitit të Ri dhe me kursimet që kishte ka plotësuar shumën prej 500 mijë lekësh dhe ia ka dorëzuar Bujarit pikërisht në makinën e tij.

Ndërkohë që mbetet e paqartë nëse është bërë apo jo zhvarrimi i eshtrave pas pagesës për të liruar vendet e kërkuara nga çifti.

Hetimet disa mujore zbuluan disa ditë më parë skandalin në varrezat e Tufinës, ku qytetarët kundrejt pagesës që u bënin punonjësve, blinin vende për varr.

Hetimet kanë vënë në pranga Eljodor Ndini, me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Funerale në Bashkinë e Tiranës dhe Xhemal Mena, Latif Shehu, Gazment Daja punonjës të Sektorit të Varrezave Tufinë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Bujar Lica, Alban Ajazi dhe Endrin Milla akuzohen për “Ushtrim i ndikimit i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe Fatjon Gjonaj për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit nga 30.000 deri 50.000 lekë të rinj, duke shpërdoruar detyrën, kanë siguruar vendvarrime për shtetas të ndryshëm, në varrezat e Tufinës.

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për: Eljodor Ndini, Gamzend Daja, Bujar Lica, Alban Ajazi, Endri Milla, Latif Shehu.

Ndërkohë, “arrest në shtëpi” është kërkuar për: Fatjon Gjonajn dhe Xhemal Menan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat