Pasojat e luftës në Ukrainë, po hyjnë më pak mallra, por më shtrenjtë

Shqipëria

Pasojat e luftës në Ukrainë, po hyjnë më pak mallra, por më shtrenjtë

Më: 20 qershor 2022 Në ora: 00:55
Foto ilustrim

Gjatë majit më pak mallra hynë në vend, por ato u blenë dy apo trefish më shtrenjtë. Realiteti pas shifrave tregon se sasia e lëndëve të hyra në vend është më e ulët se një vit më parë, ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për eksportet, duke treguar impaktin që po sjell kriza e çmimeve.

Në vlera eksportet janë rritur me 36,8 % ndërsa importet me 28,6 %, ndërsa në të njëjtën kohë është rritur edhe deficiti tregtar.

Grupet që kanë ndihmuar vendin tonë të mbajë ritmin e lartë të eksporteve janë materialet e ndërtimit dhe metalet, mineralet, lëndë djegëset, energjia elektrike si dhe tekstilet.

Sa i përket importeve në vendin tonë kanë hyrë më të shtrenjta lëndët djegëse, makineritë, pjesët e këmbimit dhe ushqimet.

Me vendet e luftës Shqipëria vijon tregtinë edhe pse me ritme dyfish më të ulëta se një vit më parë. Me Rusinë kemi ulur tërësisht varësinë energjetike, por kemi marrë dyfish më shumë materiale ndërtimi dhe metale.

Ndërkohë drejt Ukrainës kemi dërguar 25 milionë lekë ushqime, ndërsa kemi vijuar të marrim produkte ushqimore, por me çmime stratosferik. Nëse vitin e kaluar morëm 5 mijë e 300 ton ushqime për 224 milion lekë, për 900 ton këtë vit paguam 260 milionë lekë, pra pesë-fish më shtrenjtë. Rritja erdhi për shkak të importit të vajit për gatim.

Sa i përket tregtisë me vendet e rajonit vijojmë të rrisim volumin me Serbinë, por kemi thelluar deficitin tregtar nga rreth 91 milionë lekë një vit më parë në 814 milionë lekë. Me Bosnjën kemi ulur deficitin tregtar, por e kemi rritur me Malin e Zi.

Me Maqedoninë e Veriut me të cilën kemi pasur suficit tregtar tashëm situata ka kthyer duke krijuar 400 milionë lekë deficit. Shkak është bërë importi i lartë i mineraleve dhe lëndëve djegëse.

Me Kosovën kemi ulur sasinë e produkteve që dërgojmë, por kemi rritur të atyre që marrim. Eksportet drejt Kosovës janë sa 90% i totalit të pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Me vendet e BE, që mbeten partnerët tanë tradicionalë në tregti, Gjermania dhe Italia kanë bërë diferencën duke rritur në mënyrë të ndjeshme volumin tregtar gati në dyfishim, si në importe dhe në eksporte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat