Artan Lame dhe Ahmetaj ndajnë lejet e legalizimeve në Vlorë: Për 16 muaj përfundon digjitalizimi i hartave për bregdetin

Shqipëria

Artan Lame dhe Ahmetaj ndajnë lejet e legalizimeve në Vlorë: Për 16 muaj përfundon digjitalizimi i hartave për bregdetin

Më: 17 prill 2022 Në ora: 12:39
Artan Lame dhe Ahmetaj

Kreu i Kadastrës Artan Lame dhe zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, kanë shpërndarë sot në Vlorë leje legalizimi për 3 pallate.

Ahmetaj mori fjalën për të ndarë disa leje ku theksoi se ka nisur një punë shumë e mirë për digjitalizimin e dokumentacionit dhe arkivave ndërsa theksoi se paralelisht do të nisë edhe digjitalizimi i hartave.

“Kemi filluar një punë shumë të mirë të gjithë digjitalizimit. Të gjithë dokumentacionit dhe arkivave. Paralel fillon edhe digjitalizimi i hartave. Është hera e parë që bëhet. Është shtysë e vazhdueshme e kryeministrit.  Për 16 muaj do kemi mbaruar me pjesën e bregdetit nga veriu në jug dhe pastaj do nisë më qytetet e tjera.

Kjo do i japë fund rrëmujës që trashëguam ne. Është duke u bërë revolucion në këtë institucion. Ka shumë për t’u bërë me shërbimin, me cilësinë.  Kur morën këtë punë gjetëm 17 mijë legalizime. Sot janë mbi 220 mijë. Janë 220 mijë familjarë që kanë në dorë pronën e tyre ligjërisht që e gëzojnë dhe ta trashëgojnë përjetë”, deklaroi Ahmetaj.

Në momentin e ndarjes së lejeve Ahmetaj tregoi se me njërin nga personat që ishin përfitues të legalizimit kishte njohje të hershme për shkak se ai kishte qenë mik i babait të tij. “Unë dhe Memo kemi histori të veçantë. Jo unë në fakt. Babai im. Kanë qenë shokë. Edhe unë sot kam shumë shok djalin e Memos”, tha Ahmetaj.

Në këtë moment ndërhyri Lame i cili me batutë iu drejtua Ahmetajt duke thënë se kjo paska qenë arsyeja pse ai kërkonte me ngulm përfundimin e këtyre pallateve. “Tani e mora vesh pse më thojë vazhdimisht çfarë u bë me ato dy pallatet. Se paske pasur mikun brenda”, u shpreh Lame duke shkaktuar të qeshura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat