Tabaku: Të vendosur për ta çuar dosjen e inceneratorëve përpara organeve të drejtësisë

Shqipëria

Tabaku: Të vendosur për ta çuar dosjen e inceneratorëve përpara organeve të drejtësisë

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 23:45
Tabaku

Kryetarja e komisionit hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve, Jorida Tabaku deklaroi sot në një prononcim për mediet nga kryesia e Kuvendit, se kryeministri Edi Rama dështoi të thotë se ku shkuan 430 milionë euro.

Pas mbledhjes së komisionit hetimor për aferën e inceneratorëve, Tabaku tha se, “sot ishte dëshmia e fundit e komisionit hetimor për inceneratorët, për tre impiantin e mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier që i kushtojnë buxhetit të shtetit 430 milionë euro. Ajo që dëgjuam për 10 orët e fundit ishte sigurisht dëshmitari që e mbronte korrupsionin, e justifikonte korrupsionin, hiqte përgjegjësinë e tij nga korrupsioni, ia linte të tjerëve korrupsionin, por ajo që nuk arritën shqiptarët të dëgjonin ishte se si ka mundësi që tre persona në kërkim janë sot duke marrë edhe sot e kësaj dite para nga buxheti i shtetit. Unë besoj që komisioni hetimor i ka bërë një nder të madh publikut duke bërë transparente faktet duke vendosur përpara gjithë qytetarëve me zë dhe me figurë, me zërin e administratorëve të kompanisë por edhe përfaqësues zyrtarë, ministrave, dhe kujtdo tjetër atë që ka ndodhur me aferën e tre inceneratorëve”.

“Sot Rama dështoi të thoshte se ku kanë shkuar 100 milionë që janë paguar këto iniciator. Sot Rama dështoi që të thoshte se si ka mundësi që një kontratë t’i jepet një kompanie pa asnjë eksperiencë, me persona që nuk kanë lidhje me fushën e menaxhimit të mbetjeve, me asnjë kapital bankar, me lidhje me të paktën me dy prej ministrave të tij. Në shkelje të ligjit të këtij shtetit duke injoruar me një arrogancë të plotë çdo ligj, kushtetutën dhe çdo procedurë zyrtare dhe sigurisht refuzoj si gjithmonë të thotë të vërtetën, bëri mbrojtjen më të mirë politike, publike, për ato që sot janë në kërkim. Unë nuk kisha asnjë pritshmëri tjetër. Komisioni provat i ka, i ka administruar, dëshmitë i ka administruar, e ka parë se si janë përdorur fondet e buxhetit të shtetit. E ka parë që këto inceneratorë dhe sot që flasim nuk funksionojnë, por çudia më e madhe është se si mundet një kryeministër i një vendi që ka dy ministra sot përpara drejtësisë, të vazhdojë e të jetë krenar për çdo vepër korruptive. Unë nuk arrita dot që të marrë përgjigje për këtë. Në çdo vend normal kryeministri duhej të ishte dorëhequr”, theksoi Tabaku.

E pyetur nëse i beson SPAK-ut, Tabaku tha se, “unë nuk dua të paragjykoj punën e askujt. Nuk dua të paragjykoj rezultatet e askujt. Ne do të bëjmë punën tonë aq sa ne kemi mundësi për të çuar SPAK-ut dosjen e plotë të kësaj afere. Por iu siguroj që dosja do të jetë me përgjegjësitë e secilit. Me përgjegjësitë ligjore të secilit. Aty ku është shkelur ligji nga secili. Sigurisht që dëshmia e sotme ne na shërbeu për të kuptuar që Edi Rama si gjithmonë do i shesë të gjithë vartësit e tij. Nuk do të mbrojë askënd përveç vetes së tij. Por mbrojtja politike që i ofroi kësaj afere sot, ka qenë e paprecedentë. Janë 430 milionë euro dhe të vërtetën nuk e mbulon dot askush, sado i zoti të jetë, sado të aktrojë dhe sado propagandë që të ketë”.

E pyetur nëse doli në pah ndonjë provë apo element i ri gjatë dëshmisë së zotit Rama, të cilën komisioni nuk e dinte më parë, Tabaku tha se, “unë besoj që komisioni i kishte të qarta faktet”.

“Për sot doli në pah fakti që firma e kryeministrit është hedhur me vetëdije. Mbrojtja që ai bëri sot nuk ishte mbrojtje e rastësishme. Ai ka pasur qëllimin për t’ia dhënë këtë kontratë koncesionare tre kompanive pa asnjë eksperiencë, pa asnjë kapital në bankë. Ai ka pasur dijeni që ka firmosur, ka besim të plotë tek ato që i kanë çuar Vendimet e Këshillit të Ministrave. Ai e di se çfarë ka ndodhur, e di se nuk incenerohet, e di që nuk kryhet procesi, e di që janë projekte në letër, e di që po përdoren për pastrim parash. Besoj se ky konfirmim, për gjithë shqiptarët, është më shumë se çdo fjalë që unë të them. Dhe një fjali të fundit për çështjen e 430 milion Eurove. Sot e gjithë propaganda e tij, besoj dhe e ministrave të tij gjatë dy ditëve të fundit ishte si i keni mbushur mendjen shqiptarëve që janë 430 milion Euro? Dhe këtë nuk arriti dot ta zhbëjë sado që aktroi. Aktroi nga fillimi deri në fund. Sepse e vërteta është shume e vështirë për tu mbuluar. E vërteta gjithmonë del dhe sot përpara gjithë shqiptareve, nuk ka shqiptare që të mos e besoje qe janë dhënë tre koncesionet personave në kërkim, 430 milionë euro, me mbështetjen, njohurinë dhe dijeninë e plote te Edi Ramës, edhe me krenarinë e tij për te mbrojtur këtë afere korruptive. Por ajo që është më e rëndësishme për shqiptaret është të kuptojnë qe jemi te vendosur për të çuar përpara ketë dosje përpara organeve te drejtësisë”, theksoi Tabaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat