"Beteja e Berishës, luks për Ramën", Basha: Kam vendosur të mbroj PD-në, nuk tërhiqem

Shqipëria

"Beteja e Berishës, luks për Ramën", Basha: Kam vendosur të mbroj PD-në, nuk tërhiqem

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 18:17
Lulzim Basha

Lulzim Basha nuk e merr në konsideratë 5 janarin si afat të vendosur nga Sali Berisha. Kreu i PD filloi takimet me bazën demokrate si kundërpërgjigje ndaj Foltores, ndërsa kërkoi nga demokratët që të mos hidhen kundër njëri-tjetrit. Sipas Bashës, Berisha ka vendosur interesat personale mbi ato të partisë duke i shërbyer kështu Edi Ramës me betejën e nisur brenda PD.

Sali Berisha i ka lënë 5 Janarin si të fundit datë për t`u larguar nga drejtimi i Partisë Demokratike, por Lulzim Basha nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Të mërkurën, nga Dibra ai nisi takimet me bazën demokrate.

U kujdes të theksonte se demokratët nuk janë të përçarë, por gjatë gjithë fjalës kërkoi nga mbështetësit e PD-së që të mos hidhen kundër njëri-tjetrit.

"Demokratët nuk janë të përçarë, ne ndajmë një qëllim largimin e Edi Ramës. Retorika përçarëse është ajo që jep përshtypjen që ka një përçarje në radhët tona," tha Basha.

Basha tha se Sali Berisha po punon për interesa personale dhe se beteja e tij politike po kthehet në një luks për Edi Ramën.

"Ku ka luks më të madh për Edi Ramën se sa nga mëngjesi deri në darkë, si një telenovelë turke pa fund e pa fillim, në vend që të flitet për problemet e shqiptarëve, në vend që t'i mobilizojmë dibranët dhe gjithë shqiptarët në betejë, të dëgjojmë të njëjtat gënjeshtra që qarkullohen," tha Basha.

Kryetari i PD-së rikujtoi se më 9 shtator me përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar ai ndau të shkuarën nga e ardhmja.

"Kam vendosur të mbroj PD, investimin e demokratëve. PD nuk është dhe nuk do të jetë pronë private e askujt," shtoi Basha.

PD tha Basha është krah SHBA-ve dhe se ato kurrë nuk do të bashkëpunojnë me persona të shpallur "non grata."

"Nuk kishim në dorë asgjë në vendimin e aleatit tonë strategjik, as mund ta ndikonim, as mund ta ndalonim. Shpallja "non grata"  e Sali Berishës është një vendim që është marrë nga SHBA," tha Basha.

Kreu i PD u ndal te skandali i publikimit të të dhënave personale dhe te afera e incineratorëve për të cilat tha se kryeministri Rama duhet të jepte dorëheqjen.

"Ky vend nuk ka qeveri sepse në krye ka një bandë e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Në çdo rrethanë tjetër, çdo kryeministër do ishte dorëhequr, do ishte vënë në dispozicion të drejtësisë," tha Basha.

Basha u shpreh nga Dibra se Shqipëria ka nevojë për një Parti Demokratike të fortë, të çliruar nga hijet e të shkuarës për të larguar qeverinë Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat