Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë uron besimtarët për Krishtlindje

Shqipëria

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë uron besimtarët për Krishtlindje

Më: 25 dhjetor 2021 Në ora: 06:43
Pamje nga videoja

Pak orë para meshës tradicionale të Krishtlindjes, që do të mbahet në mesnatë, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, përcolli mesazhin e përvitshëm të urimit për të gjithë besimtarët katolikë. Imzot Massafra uroi që kjo Krishtlindje të jetohet nga të gjithë me guxim. Krishti, tha ai, është aty për të falur dhe për të mirëpritur të gjithë, duke zbuluar edhe një herë fytyrën e mëshirshme të Hyut.

“T’a shfrytëzojmë këtë rast për të lejuar fëmijën e Betlehemit që të hyjë në shtëpitë tona, në jetën tonë, në marrëdhëniet tona njerëzore, në vendet tona të punës, të kulturës, të shkencës. Nuk mund të bëjë keq Ai, që ka ardhur për të mirën tonë”.

Duke uruar që Krishti të hyjë në çdo familje, imzot Massafra tha se Ai është udhërrëfyesi i sigurtë për të gjithë ata që ja kanë dhuruar jetën e tyre Hyut dhe vëllezërve, si gjallërues të bashkësive fetare.

“Ai është krijuesi, që dhuron çdo dije dhe çdo shkencë të gjithë atyre, që janë të angazhuar për t’a bërë këtë botë më të mirë me kulturën, shkencën, artet. Ai është mrekullibërës i fuqishëm dhe ka fuqi të shërojë edhe trupat, mbështetje për të gjithë të sëmurët dhe të moshuarit”.

Në përfundim të mesazhit të tij, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra uroi besimtarët katolikë, ortodoksë, të krishterë dhe njerëzit vullnetmirë, për mikpritjen e Jezu Krishtit në jetën tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat