Ambasada e SHBA zbardh vizitën e Escobar në Tiranë

Shqipëria

Ambasada e SHBA zbardh vizitën e Escobar në Tiranë

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 19:48
Gabriel Escobar

Ambasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur vizitën dhe takimet e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ku takoi kryetarin e PD, Lulzim Basha, kryeministrin Edi Rama dhe Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada thuhet se "Escobar vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor".

Njoftimi:

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar vizitoi më 9 dhjetor Shqipërinë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë. Gjatë takimeve të tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e saj të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ai vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Escobar mirëpriti forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s dhe krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime. Escobar mirëpriti gjithashtu punën e përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për integrimin rajonal dhe global – veçanërisht kur të dyja vendet do të shërbejmë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në 2022.

Image
Pamje nga takimi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat