Probleme nga moti i keq në rrethe, shkak shiu dhe bora

Shqipëria

Probleme nga moti i keq në rrethe, shkak shiu dhe bora

Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 14:54
Foto ilustrim

Moti i keq ka përfshirë vendin të hënën. Në zonat malore të Kukësit kanë nisur reshjet e dëborës. Këto pamje vijnë nga fshati Shishtavec, i cili është zbardhur i gjithi.

Raportime për dëborë ka edhe në fshatrat Novosej, Borje e Topojan, ku edhe temperaturat janë ulur ndjeshëm.

Sipas raportimeve, në shumë rrugë ka rrëshqitje gurësh e dherash, por qarkullimi i automjeteve vijon.

"Rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme. Ka pasur rrëshqitje gurësh në rrugë nacionale që kontraktorët po punojnë gjatë natës dhe ditës që rrugët të mos bllokohen."

Reshje dëborë raportohen edhe në fshatrat e Shkodrës në Alpe, por nuk ka problematika.

Moti i keq gjatë natës ka shkaktuar probleme në Gjirokastër, ku përroi Lënxës ka dalë nga shtrati në Lazarat, duke krijuar vështirësi në qarkullim mes dy lagjeve.

Gjithashtu prurje të mëdha ka edhe lumi i Viroit.

Në këtë qark dhjetëra fshatra raportohet të kenë probleme me energjinë elektrike në Lazarat, Picar, Cepo, Lopës, Luftinjë, Tepelenë, Memaliaj e Përmet.

Ndërsa rruga Kolonjë-Golem mbetet e bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të inerteve.
Edhe Elbasani është përfshirë nga reshjet.

Reshjet e orëve të fundit kanë bërë që të rritet niveli i ujit në lumin Shkumbin. Por deri më tani nuk raportohet se në asnjë vend ku kalon ai nuk ka probleme sa i takon dëmtimit të argjinaturave mbrojtëse.

Probleme me furnizimin me energji elektrike raportohen në disa fshatra të Librazhdit, Gramshit dhe Shushicës.

Reshjet e shiut vijojnë me intensitet të lartë në Vlorë, ku një pjesë e rrugëve të qytetit janë nën ujë.

Në lidhje me situatën ka reaguar edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar i cili duke bërë thirrje drejtuesve të mjeteve për kujdes lajmëron se në disa akse nacionale të vendit ka rrëshqitje gurësh dhe dherash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat