Brenda apo jashtë… “trekëndëndëshit të Bermudës”?!

Shqipëria

Brenda apo jashtë… “trekëndëndëshit të Bermudës”?!

Nga: Dukagjin Hata Më: 29 tetor 2021 Në ora: 20:29
Dukagjin Hata

Pas një heshtje apostolike, që ka qenë një tipar i lexueshëm i kryetarit të PD Basha, në raport me “Foltoret” e ish liderit te fortë Berisha, metafora e Lulzim Bashës, që e vendosi Ramën përkrah Metës dhe Berishës, si tri brinjët e trekëndëshit të Bermudës, duket se rindezi debatin në tregun mediatik shqiptar dhe nxiti hamendjet nga më të ndryshme.  Kryetari Basha për herë të parë i bëri bashkë tre njerëzit më të fuqishëm të politikës, duke i quajtur Berishën dhe Metën bashkëfajtorë me Ramën për gjendjen katastrofike të ekonomisë dhe për gjithçka që nuk ka ecur në shinat e duhura në këtë vend. 

E vërteta është se këta të tre, Berisha, meta dhe Rama, kanë zotëruar gjithë spektrin politik shqiptar, sheshet, podiumet, pushtetin ekzekutiv dhe thuajse të gjitha pushtetet gjatë këtyre tre dekadave në Shqipëri.   

Tashmë duket qartë se Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta janë sot në të njëjtin instikam dhe kanë një armik të përbashkët: Lulzim Bashën dhe projektin e tij për ta shkëputur Shqipërinë nga kthetrat e oligarkisë politike dhe për t’i dhënë fund tranzicionit. (Të paktën ky është artikulimi i kryetarit Basha). Ata të tre janë liderë populistë, që e bazojnë ecurinë e tyre politike tek dukja dhe fasada, tek retorika e përndezjes së turmave dhe dirigjimit e për më tepë keqorientimit të nevojave të këtyre turmave për të pasur mbështetjen e udhëheqësve të fortë.   

Nëse demokratët kanë nevojë të ngutshme të shkundën nga plogështia e trishtë e një pritje që ua largon shijen e pushtetit për herë të tretë në zgjedhjet parlamentare dhe gjejnë njëfarë ngushëllimi tek “Foltoret” e Berishës, Rama dhe Meta gjejnë tek “Foltorja” modelin e mbijetesës së politikës populiste, që ekzisteon për hir të fasadës dhe nuk do të dijë për standardin real të demokracisë.   

Janë të njohura bashkëpunimet e Metës dhe Majkos me Berishën e viteve 1992-’96, në përplasjen e klaneve të PS kundër Nanos, ku dukej se Berisha i dirigjonte të dy, për të gjunjëzuar opoozitarizmin e fortë të Nanos dhe të PS. Po kështu, Berisha, në bashkëpunim me Metën, përndezën sheshin e madh të Tiranës më 2 mars 2019, ku u grumbulluan rreth 100 mijë vetë, duke treguar se nuk duhej luajtur me zjarrin!...Dihet flirti Berisha-Rama në 2008 për ndryshimin e Kushtetutës, që e shtyu Metën në rebelim dhe më vonë në pendim, duke u riafruar me Ramën në një darkë ngjalash, ku do të niste rrugëtimi i koalicionit PS-LSI.   

Në fakt, gjithë politika shqiptare në këta tridhjetë vjet është vërtitur në këtë “Trekëndësh Bermude” dhe nuk dimë nëse Basha do të dijë që të orientohet në këtë hapësirë “përthithëse”, për t’i shpëtuar asaj… apo është dhe vetë brenda saj dhe luan bllofin!... 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat