Komisioneri Publik: Vettingu të japë vendim përfundimtar për ish-gjyqtarin Hoxha

Shqipëria

Komisioneri Publik: Vettingu të japë vendim përfundimtar për ish-gjyqtarin Hoxha

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 18:44
Foto ilustrim

I pranishëm në KPA ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit të vendimit të KPK për Ibrahim Hoxhën, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ishte dhe Komisioneri Publik.

Ky i fundit parashtroi shkaqet e ankimit të ushtruar kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ish-gjyqtarin e Tiranës, lidhur me deklarimin e përfundimit të procesit të vetingut pa një vendim përfundimtar.

Gjatë seancës Komisioneri kërkoi që të prishet vendimi i KPK-së për Hoxhën dhe të urdhërohet Komisioni që të klasifikojë të papërfunduar procesin e rivlerësimit për ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha.

Hoxha nuk ishte i pranishëm në seancë megjithëse kishte konfirmuar marrijen dijeni. Në nëntor 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dha fund procesit të vetingut për Hoxhën nën argumentin se ai është sakaq i shkarkuar nga detyra. Sipas vendimit të KPK-së, shkarkimi i tij nga detyra sjell edhe “mbarimin e statusit të magjistarit”. Ish-gjyqtari i Tiranës Ibrahim Hoxha u arrestua në vitin 2016 nën akuzën se mori 600 mijë lekë ryshfet nga një palë në një proces civil, të cilin policia e zbuloi përmes hetimeve me përgjim.

Njoftimi i Komisionerit Publik:

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 316, datë 17.11.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ibrahim Hoxha, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, për të cilin bëri me dije se, përmes korrespondencës elektronike, kishte konfirmuar marrjen e njoftimit për seancën.

Në këto kushte, trupi gjykues, vendosi vijimin e shqyrtimit gjyqësor në mungesë të subjektit të rivlerësimit, duke ftuar Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.

Komisioneri Publik iu qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit dhe kërkoi nga trupi gjykues të vendosë prishjen e vendimit nr. 316, datë 17.11.2020, dhe të urdhërojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të klasifikojë të papërfunduar procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Ibrahim Hoxha.

Në vijim, Komisioneri Publik iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga relatorja e çështjes, të lidhura kryesisht me kërkimin e ankimit.

Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, vendosi të shtyjë seancën për në datën 13.10.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat