I kërkuar për vrasje në ‘97-ën, ekstradohet nga Greqia 44-vjeçari

Shqipëria

I kërkuar për vrasje në ‘97-ën, ekstradohet nga Greqia 44-vjeçari

Më: 30 gusht 2021 Në ora: 08:05
Interpol

Policia ka njoftuar se ditën e djeshme, është ekstraduar nga Greqia një i shumëkërkuar. Bëhet fjalë përkatësisht për shtetasin me iniciale F. M., 44 vjeç. Ky i fundit, ishte i shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje”, “Vjedhje me armë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Këto akuza rëndojnë ndaj tij, pasi në bashkëpunim me dy të tjerë, përkatësisht shtetasit S. Xh. dhe F. Z., grabitën e vranë një person në Mallakastër, në vitin 1997. Është mësuar nga deklarata e policisë, gjithashtu se për ngjarjen e ndodhur, 44-vjeçari ishte i dënuar në vitin 2009, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier.

Ndërkohë, para pesë vitesh, shtetasi F. M., u arrestua në Greqi gjatë një operacioni antidroge. Ndërsa, bëhet me dije se 44-vjeçari në momentin që është ekstraduar në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. “Vijon bashkëpunimi i Interpol Tiranës me homologët për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet në Greqi dhe ekstradohet drejt Shqipërisë një shtetas i shpallur në kërkim për krime ndaj jetës dhe pronës. Nga Zyra Qendrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Greqia drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar F. M., 44 vjeç, banues në Tepelenë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në vitin 2009, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje”, “Vjedhje me armë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, falë shkëmbimit në kohë të informacioneve ky shtetas është arrestuar në Greqi duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Personi i ekstraduar në PKK Rinas, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, ka deklaruar policia.

Vrasja e ndodhur në ‘97-ën

Ka qenë fundi i korrikut, viti 1997. Atë ditë, dy të rinj, përkatësisht shtetasit me iniciale R. M. dhe F. S., po udhëtonin në një autobot të ngarkuar me karburant, nga Tepelena, drejt qytetit bregdetar të Durrësit. Urdhri ishte që ngarkesa të dorëzohej në Laç. Fatkeqësisht, teksa ata po kalonin në fshatin Povel të Mallakastrës, në një moment u parakaluan nga një automjet tip “Mercedes Benz”.

Personat që ndodheshin në këtë makinë, filluan të qëllonin me armë zjarri drejt tyre. Menjëherë, shoferi, pra shtetasi R. M., ka ndaluar autobotin dhe ka zbritur së bashku me pasagjerin, shtetasin F. S. Ky i fundit ishte i armatosur me armë zjarri automatik dhe pistoletë personale, armë të cilën e kishte me leje, duke qenë se më parë ushtronte detyrën si një punonjës policie. Personat që i parakaluan dhe më pas i qëlluan, përkatësisht shtetasit F. M., F. Z. dhe S. Xh., dolën nga makina dhe grabitën shoferin e autobotit të ngarkuar me karburant dhe pasagjerin e tij.

Pas grabitjes me armë zjarri, ata të tre i kanë lënë të lirë dhe u larguan menjëherë pas ngjarjes. Pak më vonë, pas vjedhjes me armë, shtetasit R. M. dhe F. S., po ktheheshin nga rruga, kur në vendin e njohur si “Bajamet”, grabitësit e tyre, shtetasit F. M., F. Z. dhe S. Xh., kanë qëlluar me armë zjarri nga dritarja e pasagjerit dhe plumbi ka prekur brinjën e shoferit të autobotit, duke e lënë të vdekur në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat