Hetuesit “studiojnë” skemën e azilit: Elton Debreshit tritolin në makinë ia vendosi i vëllai, rrezikon prangat dhe vetë minatori

Shqipëria

Hetuesit “studiojnë” skemën e azilit: Elton Debreshit tritolin në makinë ia vendosi i vëllai, rrezikon prangat dhe vetë minatori

Më: 28 gusht 2021 Në ora: 10:59
Elton Debreshi

Elton Debreshi, minator dhe ish-kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, rrezikon burgun. Kjo për shkak se akuzohet se ka bërë deklarim të rremë para oficerit të Policisë gjyqësore, për tritolin që shpërtheu dje në makinën e tij.

Policia njoftoi sot se ka arrestuar vëllain e tij, shtetasin Alfred Debreshi, pasi ky person ka vendosur lëndën plasëse në makinën e vëllait të tij, minatorit Elton Debreshi. Burime të sigurta nga Policia e Bulqizës, bëjnë me dije se prangat i rrezikon dhe vetë minatori, sepse dyshohet se ka bashkëpunuar me të vëllanë.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta dhe tashmë çështjen e ka në dorë Prokuroria, por hetuesit po shikojnë dhe ndonjë skemë të mundshme për të përfituar azil jashtë vendit.

Dy vëllezërit Debreshi nuk kanë asnjë konflikt të mëparshëm që të mund të jetë raportuar në Policinë e Bulqizës dhe madje kanë raporte shumë të mira bashkë. Ky fakt, i ka shtyrë hetuesit drejt hetimeve më të thelluara.

Sipas burimeve tona, organi i akuzës dhe Policia kanë dyshime të forta se dy vëllezërit Debreshi mund të kenë planifikuar bashkë skemën e vendosjes së tritolit në Mercedesin në pronësi të Elton Debreshit, që të dukej si një sulm për qëllime dashakeqe, meqë ky shtetas kandidoi si i pavarur në zgjedhje dhe u gjobit nga Policia me 50 milionë lekë.

Në dorën e hetuesve janë dhe bisedat e përgjuara telefonike mes dy vëllezërve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat