Gjykata vendos detyrim paraqitje për kreun e Inspektoriatit të Ndërtimit Tiranë dhe 2 inspektorët

Shqipëria

Gjykata vendos detyrim paraqitje për kreun e Inspektoriatit të Ndërtimit Tiranë dhe 2 inspektorët

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 20:19
Ilustrim

Gjykata e Tiranës, ka caktuar detyrim paraqitje për kreun e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Kryeqytetit, Mariglen Qato nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

E njëjta akuzë është ngritur dhe për inspektorët e tjerë të këtij institucioni, Adrian Çaushaj dhe Leandro Lamani.

Mësohet se kryeinspektori Qato dhe dy vartësit e tij janë shoqëruar pasditen e së Enjtes për t’u njohur me vendimin e gjykatës “detyrim për paraqitje”, nën dyshimet se kanë lejuar me dashje ndërtimin e një kati shtesë mbi një pallat.

Krahas masave “detyrim paraqitje” për zyrtarët, gjyqtari Albert Meça caktoi “arrest në shtëpi” për arkitektin Klevis Bregu dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit” për vëllain tjetër, Eugert Bregu, të dyshuar për “ndërtim pa leje”.

Bëhet e ditur se Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin, pas një referimi të Policisë Gjyqësore, e cila kishte konstatuar punime mbi tarracën e një pallati 5-katësh në kompleksin “Ndërtim Vila”, në rrugën “Haxhi Kika”.

Pasi janë kryer verifikimet, është evidentuar se sipërmarrësit e ndërtimit, Klevis dhe Eugert Bregu, po kryenin punime ndërtimore, ndërkohë që ishin pajisur me “deklaratë paraprake”, e cila jepet vetëm për meremetime të thjeshta.

Në 31 Korrik 2020, Policia njoftoi Inspektoratin Ndërtimor të Tiranës për konstatimin e punimeve ndërtimore pa leje në tarracën e pallatit në fjalë.

Tre ditë më pas, Policia evidenton sërish se punimet po vijonin, ndërkohë që nga kryeinspektori ndërtimor, Mariglen Qato dhe inspektorët e zonës, Çaushaj dhe Lamani nuk ishte marrë asnjë masë, pavarësisht njoftimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat