Flasin vëllai dhe motra e Altin Mbrices që vdiq në burg: Kokën e kishte të mbështjellë me qese, nofulla...

Shqipëria

Flasin vëllai dhe motra e Altin Mbrices që vdiq në burg: Kokën e kishte të mbështjellë me qese, nofulla...

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 14:37
Gazmend dhe Liljana

Një situatë dramatike dhe e pakuptimtë ka ndodhur me familjen Mbrice nga Lushnja. Altin Mbrice u nda nga jeta në rrethana misterioze në burgun e Zaharisë në Fushë-Krujë. Ai ishte i dënuar për sulm ndaj personelit mjekësor dhe po vuante dënimin në burgun e Peqinit.

Altini qëndroi për një periudhë 6-mujore në burgun e Peqinit dhe më pas u mor masa të transferohej te burgu i Zaharisë. Sapo ndodhi transferimi në burg, i ndjeri u gjet i vdekur një ditë më pas.

Autoritetet nuk bënë publike vdekjen e tij, ndërsa familjarët lajmëruan se kishte vrarë veten. Të afërmit kanë dyshimet e tyre dhe nuk e besojnë një pistë të tillë. Ata e cilësojnë si vrasje, pasi nuk e kuptojnë se ku Altini ka gjetur litarin për t’u vetëvarur. Ata gjithashtu nuk kuptojnë se pse nuk janë thirrur për autopsinë e trupit të viktimës.

Ditën e sotme ishin në një lidhje direkte vëllai dhe motra e viktimës, Gazmend dhe Liljana, të cilët u shprehën se Altini ishte dënuar për plagosje me thikë.

“Në fakt nuk e mori dënimin, por ishte ende në proces gjyqësor. Qëndroi 6 muaj në burg. Gjendja e tij, se flisja në telefon, ishte i qetë. Ankohej nga koka, më dhemb koka thoshte. Gjithmonë më thoshte si munda ta bëja unë atë veprim.

Më 12 tetor u zhvendos në burgun e Zaharisë. Në fakt unë kërkova që vëllait ti bëhej një vizitë për shëndetin mendor. Nuk arrija ta besoja se ka bërë një gjë të tillë. Ai është kujdesur për prindërit tanë dhe vëllain e tij binjak, i cili vuan nga probleme me shëndetin mendor”, tha motra e Altinit, e cila shtoi se asnjëherë nuk kishte shfaqur probleme para se të ndodhte kjo ngjarje.

Të pyetur se çfarë ndodhi më 15 tetor, Liljana tha se kur ka marrë lajmin e hidhur i kanë thënë se “vëllai ka varë veten me bluzën e tij”.

“Fillimisht na thanë me bluzën e tij, por më pas në certifikatën e vdekjes thuhet se ka vrarë veten me litar”, shtoi Liljana.

Ndërkohë Gazmendi tha se nuk e kanë lejuar që të jetë i pranishëm kur të ndjerit i është bërë autopsia.

“Kur kam shkuar te spitali i morgut më thanë të shkoja në 8 dhe unë shkova në 7.30. ekspertiza ishte bërë, e më thanë ta tërhiqja trupin e pajetë. Doja të shikoja vëllain por nuk më lanë. E kam parë pasi e kam marrë në makinën e funeralit. Pas kokës kam parë të mbështjellë me qese. Në dorën e djathtë shenja të zeza, po ashtu në nofull. Unë kërkoj nga shteti drejtësi”, tha vëllai i të ndjerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat