Kërkojmë banane, na sjellin drogë/ Porti i Durrësit parajsa e kalimit të kokainës

Shqipëria

Kërkojmë banane, na sjellin drogë/ Porti i Durrësit parajsa e kalimit të kokainës

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 20:23
Porti i Durrësit

Një sasi kokaine është kapur ditën e sotme në portin e Durrësit, teksa kontenieri me banane i ardhur nga Ekuadori ka kaluar në skaner. Në total u sekuestruan rreth 11 kilogram e 650 gramë kokainë e cila ishte e ndarë në 14 pako. 

Gjatë katër muajve të fundit 4 operacione të tjera janë realizuar me sukses dhe kanë rezultuar në sekuestrimin e 928 kilogramëve kokainë.

Më 1 prill, në Portin e Durrësit u kap një sasi kokaine e cila vinte nga Amerika Latine. 49 kg kokainë ishin fshehur në një konteinier me babane në pronësi të Selim Çekaj babai i Arbën Çekaj, ky i fundit i dënuar me 14 vite burg për sasinë 613 kg kokainë në 2018.

Rreth 143 kg kokainë u kapën më 10 prill të këtij viti nga policia shqiptare. Kokaina ishte e ndarë në 120 pako dhe ishte fshehur në një vend të përshatur në kamionin i cili ishte ngarkuar me banane. Kompania që kishte porositur ngarkesën ishte “Masabi fruits”, me pronarë Erjon Peti 42 vjeç dhe Klajdi Xibraku 30 vjeç, të cilët menjëherë u arrestuan nga policia. Pakot e kokainës kishin të stampuar foton e Pablo Eskobar, narko-trafikantit kolumbian si dhe shënimet “El mejor” (më e mira) dhe “Viejon” (i moshuari) dhe ishin të mbështjella me natriban kaf dhe të zi.

Më 17 maj 2021 një sasi rekord droge u kap nga Policia në Kosovë e cila kishte ardhur nga Brazili dhe ishte fshehur në një kamion me mish, i cili kaloi përmes Portit të Durrësit. Rreth 400 kilogramë u sekuestruan dhe shtatë persona u arrestuan nga policia gjatë këtij operacioni. Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Kadri Ibrahimi, Fehmi Bytyqi, Faton Vrajolli, Enver Belegu dhe Bajram Maliqi, janë dënuar me paraburgim për veprat penale: “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit criminal të organizuar”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, dhe “Mbajta ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ka qenë DEA amerikane ajo e cila informoi Policinë shqiptare dhe atë kosovare për sasinë e drogës që do të vinte në vendin tomë e më pas  në vendin fqinj. Autoritet amerikane i kishin vendosur kamionit një gjurmues GPS, për parë se ku do të arrinte.

Më 18 qershor një goditje e fortë e autoriteteve ligjzbatuese në Portin e Durrësit çoi në sekuestrimin e 324 kilogramë e 400 gramë kokainë që kalonte tranzit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Droga me vlerë dhjetëra miliona euro ishte e ndarë në pako dhe e ambalazhuar me logo të ndryshme; “Dior”, “PSG” e “Chicago Bulls” ishin disa prej logove të cilat ishin vendosur mbi pakot me kokainë. Pakot ishin vendosur në serbatorin e një kamioni me targa të huaja dhe u bë arrestimi i shoferit 40-vjeçar të mjetit, me shtetësi të Maqedonisë së Veriut Nazif Ajrofski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat