Nga transparenca e qeverisë deri te korrupsioni, Shqipëria pëson ulje në indeksin e sundimit të ligjit

Shqipëria

Nga transparenca e qeverisë deri te korrupsioni, Shqipëria pëson ulje në indeksin e sundimit të ligjit

Më: 9 korrik 2021 Në ora: 19:42
Foto ilustrim

Shqipëria ka pësuar rënie në renditjen e Indeksit të Sundimit të Ligjit për vitin 2020 pavarësisht reformave të ndërmarra në sistemin e drejtësisë.

Institucioni i pavarur i të dhënave mbi sundimin e ligjit, The World Justice Project (WJP) Rule of Law Index ka publikuar shifrat dhe renditjet për vitin 2020, ku mes tyre është edhe Shqipëria.

Vendi ynë renditet i 78-i në listën e 128 shteteve përsa i përket efektshmërisë së sistemit të drejtësisë duke u ulur me 4 vende në krahasim me vitin 2019 dhe duke pësuar rënie me 0.50 pikë.

Ndërkohë sipas WJP, në nivel rajonal Shqipëria renditet në vendin e nëntë nga 14 shtete.

RËNIE NË DISA FAKTORË TË SUNDIMIT TË LIGJIT

Kufizimet në pushtetin e qeverisë

Sipas WJP, Shqipëria ka humbur disa vende në këtë renditje ku në rang global zë vendin e 96 ndërsa në atë rajonal në vendin e 7 nga 14 shtete. Rezultati në këtë këtë faktor është 0.45 e cila është mbi mesataren e nivelit rajonal që është 0.43 por shumë larg nivelit global që është 0.55.

Mungesa e korrupsionit

Edhe në këtë kategori Shqipëria ka njohur ulje në krahasim me një vit më parë. Vendi ynë renditet në vend të 100 nga 128 shtete në rang global ndërsa në nivel rajonal është në vendin e 11. Me vetëm 0.37 pikë, Shqipëria është poshtë mesatares së rajonit 0.44 dhe në rang global 0.52.

Transparenca e qeverisë

Në rezultatet e përpunuara nga ky factor, Shqipëria renditet në vendin e 77 në rang global dhe 10 rajonal. Me 0.47 pikë ndodhet poshtë mesatares rajonale që është 0.48 dhe asaj globale 0.52.

Të drejtat themelore

Notë positive është renditja e Shqipërisë përsa i përket zbatimit të të drejtave themelore. Në rang global renditet në vendin e 54 ndërsa në atë rajonal në vendin e 5. Me 0.59 pikë, Shqipëria e kalon mesataren e rajonit dhe të botës të cilat janë respektivisht 0.52 dhe 0.57.

Rendi dhe siguria

Rendi dhe siguria është vlerësuar me notë positive nga WJP pasi Shqipëria renditet në vendin e 36 në rang global dhe në të 7 në rang rajonal. Me 0.79 pikë, vendi ynë kalon mesataren e rajonit dhe të globit.

Drejtësia Civile

Në këtë aspect Shqipëria ka pësuar ulje në renditje. Sipas të dhënave, vendi ynë është i 87 në rang global dhe i 12 në atë rajonal. Me 0.48 pikë nuk kalon mesataren e rajonit dhe të botës.

Drejtësia ndaj krimit

Në këtë aspekt, Shqipëria ka shënuar një rezultat mbi mesataren e rajonit. Në rang global renditet në vendin e 72 ndërsa në atë rajonal në 8. Me 0.43, vendi ynë kalon mesataren rajonale prej 0.42 pikë por ndodhet poshtë asaj globale e cila është 0.47.

Vendet e para për vitin 2020 renditen Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda. Sipas WJP, gjatë vitit të shkuar shumica e shteteve kanë pësuar rënie në renditje.

The World Justice Project (WJP) Rule of Law Index është një institucion i pavarur i të dhënave mbi sundimin e ligjit. Tashmë ajo mbulon 128 shtete dhe publikon të dhëna bazuar në monitorimin dhe sondazhet e kryera në këto vende në mënyrën se si funksionon sistemi i drejtësisë në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat