Produktet e shpendëve s'kanë rrezik, ekspertët: Konsumatorët të bëjnë kujdes vetëm me gatimin

Shqipëria

Produktet e shpendëve s'kanë rrezik, ekspertët: Konsumatorët të bëjnë kujdes vetëm me gatimin

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 19:23
Ilustrim

Produktet e shpendëve nuk përbëjnë rrezik për konsumatorët, nëse ato gatuhen në temperatura të larta. Epidemiologu veterinar thotë se pularitë ne vendin tonë janë të sigurta në mënyrë që virusi të mos përhapet në ato ambiente, ndërsa apelon fermerët e vegjël të tregohen shumë të kujdesshëm.

Megjithëse në Shqipëri janë identifikuar rastet e para të gripit të shpendëve, konsumatorët e këtyre produkteve nuk duhet të ndihen të rrezikuar.

Epidemiologu veterinar, Kujtim Mersini, thotë se mjafton që këto produkte të gatuhen në temperaturë mbi 70 gradë, dhe në këtë mënyrë nuk ka arsye të hiqen nga tryeza e përditshme.

"Çdo konsumator duhet të gatuajë ushqimet në një temperaturë të paktën mbi 70 gradë në mënyrë që të jetë i sigurt. Kjo këshillë vlen jo vetëm për gripin e shpendëve por edhe për patogjenë të tjerë që gjenden në ushqime.Është e rekomandueshme që të gjitha ushqimet të gatuhen në temperatura të larta, gjithmonë mbi 70 gradë dhe të respektohen normat e higjienës gjatë gatimit,ushqimet të pastrohen paraprakisht dhe më tej të gatuhen."

Fermerët janë ndër më të rrezikuarit nga ky virus, ndaj kërkohet që ata të jenë të kujdesshëm me çdo shenjë që shfaqin shpendët.Gjithashtu kërkohet prej tyre që për disa kohë ti mbajnë të izoluar shpendët.

"Sa herë të shohin shpendë që ngordhin në fermën e tyre të njoftojnë menjëherë shërbimin veterinar në mënyrë që të minimizohet ky risk dhe të eleminohen shpendët të cilët janë të infektuar. Rritësit që mbajnë pula në oborr duhet që këto shpendë ti mbyllin në kotec apo gardhe me rrjetë në mënyrë që të shmanget kontakti me shpendët e egër sepse kjo është forma kryesore e përhapjes së sëmundjes. Duke i pasur të mbyllur minimizohet kontakti me shpendin e egër dhe praktikisht shpëtojnë shpendët e butë."

Deri tani janë konfirmuar vetrëm tri vatra të gripit të shpendëve, por ekspertet sqarojnë se ky virus përhapet vetëm nga shpendi te njeriu dhe jo mes njerëzve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat