Rinisin lejet dhe takimet në burgje, Gjonaj: Lehtësimi i masave fillon nga 14 qershori

Shqipëria

Rinisin lejet dhe takimet në burgje, Gjonaj: Lehtësimi i masave fillon nga 14 qershori

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 11:37
Foto

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj njoftoi lehtësimin e masave kufizuese anti covid në burgje duke nisur nga data 14 qershor.

Në një takim me drejtorin e përgjithshëm të burgjeve Agim Ismaili, Gjonaj bëri të ditur se nga mesi i këtij muaji, do të rifillojnë takimet e familjarëve me të dënuarit, një herë në muaj për personat madhorë dhe 4 herë në muaj për të dënuarit e mitur, duke respektuar masat anti covid.

"Masat e reja do të fillojnë të aplikohen nga data 14 qershor, për një periudhë e cila do të jetë në monitorim të vazhdueshëm nga të gjithë strukturat shëndetësore dhe nga i gjithë ekipi i drejtorisë së përgjithshme të burgjeve dhe që konsistojnë konkretisht:

Në rifillimin e lejimit të takimeve të të dënuarve me familjarët me një takim në muaj duke respektuar distancën e sigurisë, kontrollin shëndetësor ku familjari është i detyruar të paraqesë vërtetimin e vaksinimit ose dokumentin e testit se nuk është infektuar me Covid, apo teste që tregojnë se e kanë kaluar Covidin.

Nga ana tjetër do të respektohen të gjitha rregullat anticovid në institucione të cilat do ët vijojnë të jenë ende në fuqi.

Për të miturit e dënuar do të lejohen 4 takime në muaj me të njëjtat kërkesa për familjarët," tha Gjonaj.

Po kështu burgjet do të japin leje për të dënuarit për të marrë pjesë në raste mortore, duke respektuar masat anti covid dhe rekomandimet e drejtorive rajonale të policisë.

Lehtësimi  masave parashikon edhe rifillimin e aktiviteteve edukative dhe artistike në burgje.

"Do të vijojë të ruhet praktika e krijuar e komunikimeve online me Skype.

 Do të rifillojnë dhëniet e lejeve të veçanta në zbatim edhe të udhëzimit të miratuar së fundmi në datën 22.01.2021 për përcaktimin e procedurave për dhënien e lejeve ët veçanta vetëm në raste mortore," tha Gjonaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat