Pandemia, adoleshentët “mbërthehen” nga ankthi dhe depresioni. Dëshmitë: Mendoj vetëvrasjen, përdor drogë

Shqipëria

Pandemia, adoleshentët “mbërthehen” nga ankthi dhe depresioni. Dëshmitë: Mendoj vetëvrasjen, përdor drogë

Më: 5 qershor 2021 Në ora: 15:36
Aleksandra Puci

Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 preku jetën e gjithsecilit prej nesh në shumë aspekte, si në anën psikologjike, ashtu edhe në atë sociale apo ekonomike. Humbja e të dashurve prej virusit rriti edhe më tepër dozën e frikës, duke krijuar idenë se edhe ata mund të kenë të njëjtin përfundim. Por pjesa më e prekur ndaj kësaj lufte të egër duket se janë adoleshentët, pasi jeta e tyre ka pësuar një ndryshim në 360 gradë, kjo për një sërë arsyesh. Në një intervistë të dhënë për gazetaren Silvana Muça, psikoterapistja Aleksandra Puci shprehet se nëse do të krahasoheshin kërkesat e prindërve dhe adoleshentëve për ndihmë te psikologu para dhe pas vitit pandemik, vihet re një rritje e numrit të adoleshentëve të prezantuar me shqetësimet e ankthit apo depresionit. Sipas Pucit, kur fëmijët shikojnë të ardhmen tani, ata po shikojnë një të ardhme që nuk ishte ajo që ata imagjinonin më parë. Statistikat e studimeve nëpër botë tregojnë një rritje të frikshme të kësaj tendence muajt e parë të pandemisë te grup moshat 13-18 vjeç dhe kjo është hasur dhe te një pjesë e adoleshentëve shqiptarë.

Intervista e plotë me Aleksandra Pucin:

Zonja Puci a janë shtuar rastet e personave që kërkojnë ndihmën e psikologut prej pandemisë?

Ne shohim një shtim të rasteve me ankth dhe depresion në të gjitha grupmoshat, por te adoleshentet kjo është nw kulm, e për pasojë ka pasur kërkesa në rritje për ndihmën e psikologut. Në mbështetje të kësaj përgjigje nevojitet të bëj një parantezë. Adoleshenca është një stad zhvillimi në të cilin ndodh transformimi nga fëmijë në të rritur. Disa procese kryesore shpalosen gjatë kësaj periudhe, të tilla si zhvillimi i kapaciteve njohëse, ndryshimet neurobiologjike dhe ndryshimet në bashkëveprimet shoqërore ku kërkohet gjithnjë e më shumë kohë për të kaluar jashtë familjes, por një gjë e tillë është penguar nga pandemia.  Ndikimet më të mëdha që kanë ndjerë adoleshentët buronin nga mbyllja e shkollës, të qenit në shtëpi gjatë gjithë kohës me anëtarët e familjes dhe mungesa e takimeve me miqtë apo bashkëmoshatarët.  Shkollat janë shumë më tepër sesa thjesht një vend për marrjen e dijeve dhe edukimin dhe unë mendoj se shkollat kanë filluar të kuptojnë se adoleshentët do të kthehen  në shkollë jo vetëm me deficite në dije arsimore, por edhe deficite në aftësitë e tyre sociale dhe emocionale pas kësaj periudhe kufizimi.

Çfarë simptomash shfaqin adoleshentët që janë të stresuar apo në prag depresioni?

Shumë adoleshentë  gjatë pandemisë kanë raportuar ndryshime negative në rutinën e gjumit të adoleshentit, tërheqjen nga familja apo mbylljen në vetvete dhe sjelljen agresive. Këto simptoma mund të jenë shenja depresioni ose ankthi. Prindërit duhet të shikojnë për adoleshentët që shfaqin këto sjellje ose ndryshime të tjera të mëdha në sjellje për shkak të stresit të shtuar të distancimit nga përvojat e tyre të zakonshme.

Kë ka goditur më shumë Covid-19, meshkujt apo femrat?

Nëse i referohemi gjinive konstatohet se vajzat janë ato që kanë përjetuar më tepër ankth krahasuar me djemtë, ose të paktën ato janë më të prirura për të kërkuar ndihmë te psikologu. Njëkohësisht ketë vit është vënë re një shqetësim më i madh prindëror për shëndetin dhe mirëqenien emocionale të fëmijëve.

Pse Covid-19 ka sjellë këto efekte negative më shumë tek adoleshentët se sa të rriturit?

Problematikat në shëndetin mendor te adoleshentët kanë qenë prezent edhe para pandemisë, por situata e kaluar i detyroi ata të largoheshin nga normat sociale, kontakti dhe ndërveprimi fizik e edukativ, duke përkeqësuar kështu aspektin emocional te tyre. Me traumën e shtuar nga pandemia globale, nuk është surprizë që është një nga grupet me të prekura, duke iu mbivendosur kështu shqetësimeve të mëparshme.

Si t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre të adoleshentë që mos bien pre e ankthit dhe depresionit?

Prindërit duhet tu inkurajojnë fëmijëve zakone të shëndetshme të gjumit, t’i përfshijnë në aktivitete ose zgjerimin e përgjegjësive për t'ju ndihmuar atyre t'u dhënë  një sens qëllimi. Kjo mund të jetë një natë filmi familjar, pastrim familjar ose fëmijët të ndihmojnë në planifikimin e vakteve ose në gatim. Gjëja më e rëndësishme për të mbajtur mend është se sëmundja mendore mund të fillojë në moshat më të hershme. Pritja derisa adoleshentët të arrijnë të 20-at ose 30-at e tyre për t'u marrë me shëndetin mendor tw tyre mund të jetë e dëmshme. Ne kemi një mundësi të madhe t'i identifikojmë këto çështje herët dhe gjithashtu të parandalojmë shumë prej tyre, duke mos i konsideruar thjesht si të zakonshme për kwtë moshë.  Lejoni kontakt më të shpeshta tw tyre me miqtë dhe gjithashtu lehtësoni kufizimet e mediave sociale, të cilat janë aplikuar më parë ndaj tyre si masa shtrënguese. Biseda me një profesionist të shëndetit mendor është gjithmonë një mundësi e mirë, me ose pa simptoma të rënda të depresionit ose ankthit do kishte një efekt pozitiv.

Dëshmi adoleshentësh tek psikologu

Një prej vajzave shprehet se prindërit nuk arrijnë të kuptojnë ndjenjat e saj dhe për të mos u shfaqur e dobët, 16-vjeçarja prej kohësh i fsheh ndjenjat e saja.

“Kam filluar ta fsheh gjendjen time emocionale se më duket sikur prindërve iu dukem shumë e dobët. ‘Pse e vret mendjen kaq shumë,- më thonë prindërit, -kalon çdo gjë, nuk është ndonjë gjë e madhe kjo, nuk mërzitet njeriu për gjera koti’. Po për mua nuk janë gjera koti, unë i vuaj vërtet” – vetë raporton një 16-vjeçare, identiteti i së cilës nuk bëhet me dije për arsye etike.

Një parehati e përgjithshme fizike dhe emocionale dhe ndjenjat e vetmisë e palumturisë është ajo çfarë raportohet kryesisht fillimisht nga të rinjtë. Një gjë të tillë e ka shprehur edhe një 18-vjeçare tek psikoterapistja Aleksandra Puci.

“Ndjehem shumë bosh brenda vetes dhe e palumtur. Nuk e kuptoj pse këto kohë përjetoj kaq shumë ankth dhe kam frikë nga çdo gjë. Më duket vazhdimisht sikur do më ndodhë ndonjë gjë e keqe. Madje këto ditët e fundit me shkon nëpër mendje Edhe ideja e vdekjes që më parë s’ka qenë kurrë prezent në mendjen time”, thotë e reja. 

Një 17-vjeçare pasi kaloi Covid-19 nuk arriti që të jetë e qetë nga ana psikologjike. Ajo iu drejtua psikologes për ndihmë, ku është shprehur se ndihej bosh.

“Ishin të tmerrshme ditët që kalova Covid-in. U vetkarantinova në dhomën time 14 ditë rresht për të mos infektuar të tjerët në shtëpi. Kisha kaq shumë dëshirë ti përqafoja anëtaret e familjes , ndërsa i shihja nga xhami i derës që vinin më përshëndesnin. Kisha kaq shumë nevojë për atë përqafim sepse ndjehesha kaq vetëm”, vetëraporton një 17-vjeçare

Nga sa mendohet që adoleshentët janë indiferentë në rastet e trajtuara konstatohet që ata janë shumë të ndjeshëm ndaj situatave në familje. Një gjendje e agravuar psikologjike te prindërit apo problematikat familjare kanë një impakt të madh në gjendjen e tyre emocionale, e cila shpeshherë raportohet në formën e vuajtjes shpirtërore.

Kjo lloj dhimbje është shumë kollaj të vetëmjekohet me substanca kimike dhe shumë të rinj kanë bërë pikërisht ketë gjë.

“Nuk kam çfarë të bëj gjithë ditën dhe shpeshherë bashkohem fshehurazi me një grup shokësh dhe konsumojmë marijuanë.  E di që mund të bëjë dëm, po kur e përdor atë ndjehem i lumtur për ca kohë e nuk mendoj për asgjë” – vetë raporton një 18-vjeçar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat