Vetting me ngelësa, Sanxhaktari që gjykon gjyqtarë e prokurorë ngeli në provimin e shkollës

Shqipëria

Vetting me ngelësa, Sanxhaktari që gjykon gjyqtarë e prokurorë ngeli në provimin e shkollës

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 17:01
Valbona Sanxhaktari

Teksa procesi i “Vettingut” po vijon me ritme të ngadalta dhe pjesa më e madhe e të procedurave nuk kanë arritur ta kalojnë atë për shkak të mosrespektimit të një prej shtyllave kryesore të vlerësimit, shkelje zbulohen edhe për ata që e kryejnë këtë proces, komisionerët.

Valbona Sanxhaktari, anëtarja e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit që sot gjykon pasurinë dhe profesionalizmin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, rezulton të mos ketë njohuritë dhe kapacitetet e duhura për të përmbushur detyrën e komisioneres së posaçme.

Sanxhaktari, prej gati 4 vitesh ushtron detyrën pranë KPK-së, si komisionere e votuar nga parlamenti, por çuditërisht ajo rezulton ngelëse në provimin e dhënë në shkollën e Magjistraturës.

Në këtë listë emërore të siguruar nga “Ora News”, emri i Valbona Sanxhaktarit, renditet e 90-ta mes 100 kandidatëve që kanë garuar për të fituar shkollën e Magjistraturës.

Valbona Sanxhaktari është vlerësuar nga anëtarët e komisionit të korrigjimit të fletëve të votimit me 85 pikë, një rezultat ky mjaft i dobët në raport me studentët e tjerë garues.

Sanxhaktari ka dhënë vetëm provimin me shkrim, ndërsa për ballafaqimin dhe dhënien e provimit me gojë përpara komisionit të Shkollës së Magjistraturës, nuk është paraqitur fare.

Në këtë dokument renditen edhe emra të tjerë të njohur të Drejtësisë Shqiptare, si prokurori Anton Martini i cili është vlerësuar me 245 pikë, ish-kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, i cili është renditur me 385 pikë, ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi me 360 pikë, Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Saida Dollani me 335 pikë.

Një pjesë e këtyre emrave të njohur të drejtësisë Shqiptare dhe emra të tjerë magjistratësh, janë gjykuar dhe vlerësuar për tre kriteret nga Valbona Sanxhaktari.

Në një kohë kur vetë kjo e fundit qysh nga koha e garimit në shkollën e magjistraturës, për prokurore ose gjyqtare, ka rezultuar ngelëse në provimin e pranimit.

Ndërkohë në 7 qershor të vitit 2004 rezulton se Sanxhaktari është marrë në hetim nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” të parashikuar nga neni 139 dhe 25 i Kodit Penal.

Gjatë periudhës 2001-2003 Valbona Sanxhaktari ka ushtruar detyrën si juriste në Drejtorinë Juridike dhe të Prokurimeve pranë Ministrisë se Arsimit dhe Shkencës.

Por nga auditimet e KLSH në atë kohë u ngritën dyshime për abuzime me fondet publike në tenderin për rikonstruksionin e një konvikti në Elbasan. Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës jo vetëm regjistroi procedimin penal, por dhe kreu hetime duke e marrë si të pandehur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat