Klosi çel sezonin turistik: Presim më shumë se vjet

Shqipëria

Klosi çel sezonin turistik: Presim më shumë se vjet

Më: 30 maj 2021 Në ora: 10:20
Ministri i turizmit Blendi Klosi

Edhe këtë vit sezoni veror do të ndikohet nga kushtet e pandemisë, megjithëse me kufizime më të pakta.

 Nga Jugu i Shqipërisë, ministri i turizmit Blendi Klosi ka çelur në mënyrë simbolike sezonin veror.

 Në një tryezë të përbashkët me operatorët turistikë përfaqësues të institucioneve vendore, Klosi paraqiti synimet e kësaj vere.

"Në rast se në 2020 turizmi shërbeu si një doktori i mirë që filloi të kuronte sadopak ekonominë shqiptare, besoj se këtë vit turizmi do duhet çdo moment të shërbejë si një guru i mirë," tha Klosi.

Për kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, shqetësim vijojnë të jenë mbetjet urbane.

Në treyzë nuk munguan as kërkesat e operatorëve turistik.

"Drejtoria e tatimeve e ka atë dëshirën e mirë të kontrollojë ata që ka të regjistruar, por nuk kontrollon ata që nuk i ka të regjistruar. Na është kthyer Lungomarja jo më në shëtitore, por na është kthyer në një korsi makinash."

Tentativa për të ndërprerë fjalën e kreut të shoqatës së turizmit Vasil Bedinaj, solli pakënaqësi në  tavolinë.

"Ta mbyll tani? Hajde ta shtrojmë me raki. As ma ndjen fare se i kam punët e mia në terezi, por kam dhe ca anëtarë shoqate që po nuk fola për ata më thonë ti vete kot."

Për një sezon turistik më të pastër, është menduar të aplikohet riciklimi i mbetjeve, kapaciteti i  të cilave  gjashtëfishohet gjatë verës.

"Në Saranda gjenerimi i mbetjeve është të paktën 6 deri në 7 fish krahasuar me kohën e dimrit."

Vëmendje për këtë vit për ministrinë e turizmit kanë edhe monumentet e natyrës, si Syri i kaltër, i do të pres turistët mes rrëmujës së punimeve për rehabilitimin e kësaj zone.

"A do duhet të ishin bërë më parë? Padyshim. Ajo që na pengoi ta realizonim këtë që vitin e kaluar kanë qenë  dy problematikat e mëdha që kaloi Shqipëri, qoftë tërmeti, qoftë pandemi," tha Klosi.

 Punimet pritet të sjellin më shumë të ardhura për këtë sektor thotë drejtorja rajonale e zonave të mbrojtura Lorela Lazaj.

 "Këto punime do të konsistojnë në përmirësimin e infrastrukturës, shërbimet sanitare," tha Lazaj.

 Syri i kaltër këtë fillim sezoni ishte i mbushur nga turistët e huaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat