Përfundoi punimet Konferenca e parë ndërkombëtare për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjediseve ujore

Shqipëria

Përfundoi punimet Konferenca e parë ndërkombëtare për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjediseve ujore

Më: 19 maj 2021 Në ora: 20:01
Konferenca e parë ndërkombëtare për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjediseve ujore

Fjala e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Konferencën e parë ndërkombëtare për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit ujor- 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka nisur sot Konferencën e parë ndërkombëtare për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit ujor, e cila do të vijojë dy ditë me radhë me pjesëmarrës nga India e Izraeli, nga Spanja dhe Algjeria, nga Franca, Kroacia, Turqia e Rumania, si dhe nga Kosova, Mali i Zi, Italia e Greqia.  

Akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave ka çelur konferencën me fjalën përshëndetëse dhe ka theksuar se Akademia e Shkencave synon të kthehet në një pikë reference për të gjithë faktorët dhe aktorët e pranishëm në shfrytëzimin e burimeve ujore të lumenjve, liqeneve, lagunave, rezervuarëve dhe deteve.

 Fjala e plotë e Kryetarit të ASHSH:

“I nderuar z. Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit;  

I nderuar z. Munis Dundar, President i Shoqatës Europiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë;  

 E nderuar znj. Tatjana Hema, koordinatore e Planit Mesdhetar të Veprimit të Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara;  

E nderuar znj. Mariana Golumbeanu, përfaqësuese e Shoqatës  

Mjedisore të Ballkanit;  

E nderuar znj. Marlen Vaskez, zëvëndeskryetare e Programit COST Action Ocean for Biotech;  

Të nderuar pjesëmarrës, akademikë dhe profesorë, ekspertë të zhvillimit të qendrueshëm të pasurive ujore dhe të burimeve jetësore që lidhen me to;  

Znj. Ariola Bacu, koordinatore e komitetit organizues të Konferencës së parë ndërkombëtare për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit ujor;  

Të nderuar përfaqësues të Projektit GEF-Adriatic, partnerë të organizimit të kësaj veprimtarie;  

Është nder dhe kënaqësi për mua të përshëndes, në emër të Akademisë së Shkencave, punimet e kësaj konference, me një rëndësi të veçantë jo vetëm për nga tematika dhe niveli prestigjios i institucioneve bashkorganizatore, por më së pari për ndikimin e pritshëm pozitiv të saj për mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrueshëm të pasurive dhe mjediseve ujore të vendit e të rajonit ballkanik.  

Më lejoni që falënderimet tona të përzemërta t'jua drejtojmë veçanërisht studiuesve pjesëmarrës nga vende të afërta e të largëta, nga India e Izraeli; nga Spanja dhe Algjeria; nga Franca, Kroacia, Turqia e Rumania; si dhe nga fqinjët tanë të drejtpërdrejtë: Kosova, Mali i Zi, Italia e Greqia.  

Akademia e Shkencave, institucionet universitare dhe ato të fushës së shërbimit dhe ekspertizës brenda vendit, prej afro dy vjetësh kanë punuar së bashku për organizimin e kësaj konference. Mbështetja që ne fituam nga organizatat dhe shoqatat ndërkombëtare, europiane e ballkanike, që merren me mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrueshëm të pasurive natyrore, para së gjitha të ujërave dhe të resurseve që lidhen me to, është një faktor i rëndësisë parësore për zhvillimin e mbarë të kësaj konference, ku do të paraqiten rreth 70 kontribute shkencore, pjesa më e madhe e të cilave janë rezultate kërkimesh të specializuara për regjimin natyror dhe shfrytëzimin e ujërave në territorin e Shqipërisë dhe në një mjedis më të gjerë, të realizuara me punë në grup. 

Ujërat: mbrojtja, shfrytëzimi e trajtimi i tyre, janë e do të mbeten një nga çështjet më të mprehta për shkencën e politikën e çdo vendi; një çështje e përbashkët që imponon bashkëpunimin, jo thjesht në kuptimin e orientimit të përbashkët shkencor dhe zyrtar drejt një politike racionale të ruajtjes së ekosistemeve natyrore; jo thjesht për përgjegjësinë që kemi ndaj brezave të ardhshëm për mënyrën se si e përdorim a e keqpërdorim këtë resurs jetik; por, para së gjithash, sepse ujërat nuk kanë kufij dhe nuk i përfillin kufijt midis vendeve. 

E mira dhe e keqja që ndodh me burimet ujore natyrore: në lumenj, liqene, laguna dhe detra, na prek të gjithëve. Kjo shpjegon edhe shkallën e lartë të interesit e të pjesëmarrjes në këtë konferencë të shkencëtarëve e studiuesve nga kaq shumë vende e institucione.  

Akademia e Shkencave e ka konsideruar çështje me prioritet strategjik mbrojtjen e pasurive ujore dhe të të gjitha pasurive të lidhura me to, të  florës dhe faunës; të sistemeve të rregulluara nga vetë natyra në rrjedhë të mijëvjeçarëve; burime këto të pazëvendësueshme për jetën e njeriut.  

Shqipëria është një vend i favorizuar për pasuritë e larmishme ujore që i ka dhënë natyra. Gjatë shekullit të kaluar e në vijim pasuritë ujore janë vënë në shërbim të mirëqenies dhe cilësisë së jetës së njeriut në forma që nuk ekzistonin më parë. Disa herë këto ndërhyrje kanë prekur ekosistemet natyrore deri dhe me pasoja të pandreqshme.  

Prishja e ekuilibreve natyrorë, para së gjithash prishja e ekuilibreve që lidhen me ujërat, përbën një shqetësim global, ndoshta shqetësimin më të madh. Pjesë e këtij shqetësimi është edhe mbrojtja e mjediseve ujore dhe zhvillimi i qendrueshëm i tyre në shkallë lokale e rajonale.   

Ujërat dhe çdo resurs që lidhet me to është vështirë t'i ndash në të shkallës lokale a të rendit global. Pa dashur të hyj në përgjegjësinë shkencore të ekspertëve, do të përmendja vetëm një fakt: korani i liqenit të Ohrit dhe i liqenit të Prespës ka vetëm një shtëpi natyrore në Botë: atë të sotmen. Është i vetmi kujtim i kohërave të mjegullta të gjeohistorisë, kur nga familja e salmoneve, peshq të ujërave të ftohta, u nda një prej tyre, që të popullojë këto dy liqene të Ballkanit dhe Detin Kaspik, duke u përshtatur me regjimin e ri.  

Pikërisht për rëndësinë që i ka dhënë çështjes së mbrojtjes së pasurive dhe mjediseve ujore dhe zhvillimit të qendrueshëm të tyre, Akademia e Shkencave ka ngritur një komision të përhershëm për biologjinë, bujqësinë dhe veterinarinë, si dhe ka themeluar një njësi speciale të bioteknologjisë pranë saj; dhe ato janë përkujdesësit intelektualë të kësaj konference dhe propozues të masave që duhet të ndërmerren nga autoritetet qeverisëse për të garantuar një zhvillim perspektiv dhe një mbrojtje afatgjatë të tyre.  

 Ne jemi duke bashkëpunuar me universitetet dhe me institucionet dhe shërbimet e specializuara për të qenë faktor me ndikim të fuqishëm për vlerësimin maksimal të pasurive ujore dhe në mënyrë të veçantë për të parandaluar shfrytëzimin pragmatik të tyre, që shkon kundër strategjisë së mirëpërdorimit afatgjatë dhe përpjesëtimor të burimeve ujore.  

Për ne kjo nuk është thjesht një çështje për studim, por më së shumti është një çështje për ndikim. Lidhur me këtë ne jemi pranë rrethit të interesave të shoqatave dhe subjekteve ambientaliste, kemi të njëjtën ndjeshmëri me to dhe gëzohemi që ndërgjegjja qytetare në mbrojtje të rendit natyror të ujërave po rritet nga dita në ditë.  

Akademia e Shkencave synon të kthehet në një pikë reference për të gjithë faktorët dhe aktorët e pranishëm në shfrytëzimin e burimeve ujore të lumenjve, liqeneve, lagunave, rezervuarëve dhe deteve. Ne nuk jemi kundër shfrytëzimit të tyre, sepse çdo pasuri natyrore që na është dhënë, na është dhënë për ta gëzuar. Por ne jemi dhe duhet të jemi avokatët e pagabueshëm në dobi të jetëgjatësisë dhe zhvillimit të natyrshëm të kësaj pasurie pa gojë.  

 Jemi të bindur që edhe kjo konferencë, me përgjegjësi të lartë shkencore dhe profesionale, do të jetë e orientuar në të njëjtin drejtim: për një shfrytëzim të arsyeshëm të pasurive ujore, për mbrojtjen afatgjatë të tyre, për zhvillimin e qendrueshëm të natyrës dhe resurseve të saj, në dobi të brezit të sotëm dhe të brezave të ardhshëm, nëpërmjet një bashkëpunimi të qendrueshëm midis Akademisë së Shkencave, universiteteve, qendrave të specializuara dhe Qeverisë, bazuar mbi studimet e rekomandimet e specialistëve. 

 Po e mbyll këtë fjalë me urimin që konferenca t'i realizojë me sukses të plotë qëllimet dhe objektivat e saj dhe që ju të gjithë së bashku, duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke mësuar nga njëri-tjetri, të përçoni kudo këtë frymë ndjeshmërie, përgjegjësie e bashkëpunimi.  

Ju faleminderit.  

 Akad. Skënder Gjinushi 

Kryetar i Akademisë së Shkencave"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat