Bilanci i 4 viteve Vetting/ As gjysma e magjistratëve nuk e kanë kaluar procesin

Shqipëria

Bilanci i 4 viteve Vetting/ As gjysma e magjistratëve nuk e kanë kaluar procesin

Më: 16 maj 2021 Në ora: 14:04
Vetting

Kur kanë kaluar 4 vite nga nisja e procesit të vetingut deri më tani me të janë përballur 376 magjistratë, pra më pak se gjysma e prokurorëve e gjyqtarëve në vend. Në katër vitet e para të këtij procesi, deri më tani, me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit janë përballur prokurorë e gjyqtarë të njohur, që kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, si dhe kanë drejtuar prej gati tri dekadash këto institucione.

Që nga nisja e procesit të vetingut e deri më tani KPK-ja ka mbyllur procesin për 376 gjyqtarë dhe prokurorë. Në total janë dhënë vetëm 295 vendime, ku 158 gjyqtarë e prokurorë janë konfirmuar në detyrë, ndërsa 137 prej tyre kanë ndier dhimbjet e shkarkimit. Gjithashtu për 51 magjistratë kemi ndërprerje procesi sipas nenit G të Kushtetutës.

Pra, nga 800 prokurorë dhe gjyqtarë që ka sistemi i drejtësisë shqiptare, deri tani përpara vetingut kanë dalë më pak se gjysma e tyre, një numër relativisht i vogël për sa i përket afatit për përfundimin e kësaj reforme. Vetingu nisi nga puna në qershor të vitit 2017. Gjatë këtyre 4 viteve dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, të konsideruar si elita e drejtësisë, që aspironin edhe për të qenë pjesë e drejtësisë së re, nuk e kaluan provimin e vetingut.

Pasuritë e pajustifikuara dhe lidhjet me eksponentë të krimit të organizuar, ishin arsyet për shkarkimin e tyre nga detyra. Reforma në drejtësi solli pasoja të rënda për qytetetarët, pasi me shkarkimin e gjyqtarëve prej më shumë se tri vite e gjysmë, u bllokuan dy gjykatat më të rëndësisheme të vendit, ajo Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat