Pas dorëheqjes, kush e merr mandatin e Tom Doshit?

Shqipëria

Pas dorëheqjes, kush e merr mandatin e Tom Doshit?

Më: 28 prill 2021 Në ora: 15:51
Tom Doshi

Vetëm pak orë pas përfundimit të procesit zgjedhor, Tom Doshi dha dorëheqjen nga mandati aktual i deputetit dhe nga kandidimi i votimeve të 25 prillit.

Kjo situatë, për shkak të pamundësisë së heqjes së emrit të tij nga listat, do të duhet të kalojë në hapësira të tjera ligjore për kalimin e mandateve të marra nga Partia Social-Demokrate.

Janë tre mandate të kësaj partie, të cilët duhet të ndahen midis dy qarqeve: Shkodër dhe Tiranë.

Në Tiranë, situata nuk ndryshon, pasi Doshi është numri dy në listë. Vetëm në rast se ai thyen herësin ndaj kryesuesit të listës, do të ketë procedura të tjera. Gertjan Deda do të jetë i mandatuari i PSD-së për Tiranën.

Shkodra, nga ana tjetër, është më specifike, pasi Doshi e kryeson listën.

Si veprohet në këtë rast?

I pyetur nga media mbi atë që pritet të ndodhë, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, ka dhënë dy skenarë të mundshme për zgjidhjen e situatës.

“Rasti i parë, është një rast klasik, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia kalon mandatin sipas procedurës kandidatit Doshi”, ka argumentuar ai. “Më pas, kandidati duhet të kryejë betimin në Parlament. Nëse ai nuk e kryen atë, mandatin e merr personi pasardhës në listë”.

Gjithsesi, duke qenë se ka një kërkesë me shkrim të Doshit për dorëheqjen nga kandidimi, edhe pse pas procesit të votimit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mundet edhe të ndërhyjë me fuqinë juridike që ka në atë pozicion.

“Komisioneri e ka kërkesën e Doshit. Ai fare mirë mund të vendosë menjëherë të bëjë kalimin e mandatit te personi pasardhës, si pjesë e procedurës. Kështu, kalimi bëhet automatik. Këto janë dy mënyrat si mund të procedohet”, përmbylli Kume.

Në Shkodër, PSD-ja fitoi dy mandate për deputet. Me dorëheqjen e Doshit, ato u kalojnë kandidatëve Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi.

Gjasat që dikush të thyejë herësin për t’i tejkaluar këto kandidatë, janë shumë të vogla. Kjo, edhe pasi vetë Doshi, ka marrë numrin më të lartë të votave të PSD-së në Shkodër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat