Korçë, në kërkim të një zanati, të rinjtë dynden në qendrat e formimit profesional

Shqipëria

Korçë, në kërkim të një zanati, të rinjtë dynden në qendrat e formimit profesional

Më: 4 prill 2021 Në ora: 14:51
Korçë

Kurset profesionale duket se janë të preferuara nga të rinjtë korçare. Në vitin 2020, plot 400 të rinj janë aftësuar në këto kurse, ndërkohë që plot 100 aplikime janë vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2021.

Kurset në Drejtorinë Rajonale të Ofrimit të Formimit Profesional publik në Shqipëri janë mbipopulluar përsëri pas mbylljes që u bë në muajt e parë të pandemisë në 2020. Janë 42 kurikula dhe 19 profile kursesh që ofrohen për kursantët, ndërkohë që risi janë kurset e teknologjisë, të kërkuara nga vetë bizneset në Korçë.

“Në muajin mars ne jemi detyruar që të mbyllim qendrën e me pas ta hapim në muajin qershor. E përsëri pasi jemi rihapur kemi mundur që të punojmë me grupe të vogla për të zbatuar të gjitha protokollet e vendosura nga ministria e Shëndetësisë.

Pavarësisht kësaj ne kemi arritur të hapim për herë të parë në qendrën e Formimit profesional kursin e riparimeve të celularëve, që ka ardhur si një kërkesë e bizneseve. Është një kurikul e realizuar nga vet ne, me ndihmën edhe të përfaqësuesve të biznesit të rajonit”, shprehet Anxhela Taho, drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Ofrimit të Formimit Profesional Korçë.

Edhe instruktorja e këtyre kurseve teknologjike shprehet se këto kurse janë më të kërkuarat nga të rinjtë korçare

“Janë hapur si kërkesë e bizneseve. Këtu po veçoj kursin e riparimeve të celularëve, duke qenë se është një ndër kurset e reja, pra është hera e parë që ne zhvillojmë këtë kurs në qendrën tonë. Ka qenë një dëshirë e madhe dhe kërkesë e lartë nga kursantët, kjo ndoshta edhe për shkak të pandemisë edhe ndoshta të kushteve që janë krijuar me punësimin”, thotë Eneida Zenullari, Instruktore.

Vetë të rinjtë shprehen se kanë aplikuar në këto kurse për të marrë një profesion, ndërkohë që disa janë të bindur për të qëndruar në Shqipëri e disa të tjerë jo.

“Për mua është muaji i parë si grafik dizanjer. E kam zgjedhur këtë kurs sepse tregu i punës kërkon shumë, sidomos dhe për online, është një mundësi shumë e mirë. Punoj dhe nga shtëpia e nuk largohem nga vendi im”, thotë  Jon Kelolli.

“E kam zgjedhur kursin e parukerisë sepse e kam pasur shumë dëshirë që e vogël dhe këtu m’u duk shumë e përshtatshme për të filluar një kurs”, tregon Paola Dishnica.

Në vitin 2020 kanë qenë 450 kursantë të regjistruar, ku ndër ta 342 punëkërkues të papunë, ndërkohë që vetëm në 3 muajt e parë plot 100 të regjistruar, ndër ta 80 punëkërkues të papunë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat