Valë e fortë krimi këtë të shtunë, tre ngjarje të rënda në vend

Shqipëria

Valë e fortë krimi këtë të shtunë, tre ngjarje të rënda në vend

Më: 20 mars 2021 Në ora: 23:39
Foto ilustrim

Një valë e fortë krimi ka pushtuar sot vendin – Një viktimë, dy të plagosur, ndërsa një tjetër kërcënohet me armë zjarri. Ky është bilanci i rëndë i kësaj të shtune. Nga Durrësi në Tiranë e më pas në Shkodër, krismat e armëve s’kanë pushuar. Situata s’është aspak e qetë, qytetarë në ankth, e disa të tjerë të terrorizuar teksa përballen me skena vrasje.

Nis në Durrës

Mëngjesin e sotëm, u shënua ngjarja më e rëndë e ditës, në qytetin bregdetar të Durrësit. Me breshëri kallashnikovi, u ekzekutua Edmond Çekiçi, i njohur si një person me të shkuar kriminale, dhe ish-anëtar i bandës së Lul Berishës.

Çekiçi, lëvizte me shofer personal. Një mjet i ka prerë sot rrugën në lagjen nr.16. Shoferi i tij ka zbritur për t’u sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe pse i kanë dalë para.

Në këtë moment, një person nga mjeti tjetër qëllon me breshëri kallashnikovi ndaj Edmond Çekiçit i cili ishte në vendin e pasagjerit. Makina e tij tip ‘Benz’ u bë shoshë nga plumbat. Po hetohet në tre pista; prishja e pazareve të drogës, konfliktet e mëhershme dhe vrasja e shokut të Çekiçit, Edmir Bregu alias Ilir Kuçi, pak javë më parë. Policia ka nisur hetimet për të identifikuar autorët.

Krismat ‘vijnë’ në Tiranë

Një person, emri i të cilit nuk publikohet për shkak të hetimeve, ka terrorizuar Tiranën me armë zjarri pasditen e sotme. R.G tentoi të vrasë me armë zjarri Artur Korteshin. Ky i fundit, është një person me të shkuar kriminale. Fillimisht, Korteshi ka debatuar me vëllain e autorit të dyshuar. Burime nga vendndgjarja, bëjnë me dije se autori i dyshuar ka terrorizuar zonën. Ai ka qëlluar vetëm në ajër, pa shkaktuar lëndime në njerëz. Mësohet se ai është identifikuar nga policia dhe është shpallur në kërkim.

Plas edhe në Shkodër

Dy vëllezër, Marjan dhe Hot Doçi qëllohen me armë zjarri në Shkodër. Dy të rinjtë, ndodheshin brenda në automjetin e tyre tip ‘Audi’ pa targa, kur persona të paidentifikuar janë afruar dhe i kanë qëlluar. Të rinjtë mbetën të plagosur, ndërsa gjendja e njërit prej tyre paraqitet kritike për jetën.

Deri më tani ka vetëm një person të dyshuar. Në media raportohet se ai është Mesmir Perkoka, i cili është shpallur në kërkim nga blutë e Shkodrës. Burime për Mapo bëjnë me dije se vëllezërit Marjan dhe Hot Doçi janë kushërinj me Gentian Doçin, në kërkim si urdhërues i pengmarrjes së Jan Prengës në Kamëz 1 vit më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat